Analize

Nga Kastriot Myftaraj: Pasoja e hidhur në Maqedoni e politikës të imperializmit shqiptar të Edi Ramës

Në periudhën paskomuniste, fabrika ndërkombëtare sorosiane e ideve përvetësoi thënien e studiuesit britanik të shekullit XVIII Samuel Johnson për patriotizmin e rremë, duke e bërë “Nacionalizmi është streha e fundit e maskarait”.
Në të vërtetë, kjo thënie shkon mirë për sorosianët që duan të shtiren si nacionalistë, e zhvilluar kështu: “Imperializmi është streha e fundit e maskarait sorosian të cilit i duhet të shtiret si nacionalist”.
Këtu dua të saktësoj termat. Ai që quhet shpesh “nacionalizëm” në të vërtetë është imperializëm. Sepse nacionalizmi ka si qëllim përfundimtar zgjerimin e kufijve shtetërorë deri në kufijtë etnikë, dhe në pamundësi për të arritur këtë në të tashmen, ka si qëllim mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave dhe interesave të popullsisë bashkëkombase jashtë kufijve shtetërorë. Imperializmi kërkon zgjerimin e kufijve shtetërore në territore përtej kufijve etnikë, si dhe imponimin e zbatimit të të drejtave dhe interesave kombëtare përkatëse në territore të shteteve të tjerë ku nuk ka popullsi bashkëkombase. Fjala “imperializëm” vjen nga fjala “imperi” (perandori) dhe përtej ngjyresës ideologjike që mori fjala e përvetësuar në propagandën komuniste, ka pasur si kuptim atë të zmadhimit të një shteti përtej kufijve nacionalë, në kuptimin etnik.
Ai që është quajtur gabimisht si nacionalizëm serb, në të vërtetë ka qenë imperializëm serb. Në Ballkan ka pasur dhe ka nacionalizëm kroat, shqiptar, bullgar, por jo nacionalizëm serb, madje as grek. Ata që quhen si nacionalizëm serb dhe grek në fakt kanë qenë historikisht imperializëm serb dhe grek. Nëse do të përdorej termi “imperializëm” për aspiratat territorial historike serbe dhe greke, atëherë fjala “nacionalizëm” mund të përdorej pa ngarkesë negative nga kombet e tjerë.
Nuk ka pasur kurrë një imperializëm shqiptar, as si realitet gjeopolitik, as si ide. Imperializmin shqiptar e ka sajuar Edi Rama, kur u bë Kryeministër dhe po e ushtron duke u bërë shembull i postulatit që kam thënë më lart se “Imperializmi është streha e fundit e sorosianit të cilit i duhet të shtiret nacionalist”
Edi Rama i thirri në Tiranë partitë shqiptare në Maqedoni dhe i detyroi që të nënshkruajnë një të ashtuquajtur platformë (çfarë fjale!) të përbashkët, që është një manifest i nacionalizmit shqiptar, në trajtë karikature. Sipas platformës gjuha shqipe duhet të bëhet gjuhë zyrtare edhe në Kriva Palankë, Gjevgjeli, Dellçevo e Strumicë, në skajet e Maqedonisë Lindore ku nuk ka shqiptarë. Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë interesa të tillë. Sepse gjëra të tilla janë jo vetëm të panevojshme por edhe të dëmshme. Një kërkesë e tillë imperialiste vetëm sa rrit mbështetjen popullore për VMRO-DPMNE që e paraqiti këtë kërkesë si rrezik për ekzistencën e Maqedonisë. Sorosiani Zaev, nga uria e papërmbajtur për pushtet e miratoi platformën shqiptare, me siguri duke menduar se kur të vinte në pushtet do të gjente mënyra për të mos e zbatuar atë.
Por Presidenti Ivanov, duke marrë shkas nga roli prej kreu i imperializmit shqiptar që mori Rama ndaj partive shqiptare në Maqedoni me rastin e krizës politike atje, kundërshtoi që ta mandatojë Zaevin për krijimin e qeverisë, megjithëse e ka siguruar shumicën e deputetëve, duke marrë nënshkrimet e deputetëve shqiptarë. Ivanovi u tall duke thënë se megjithëse Zaevi e ka numrin e duhur të deputetëve, nuk mund ta mandatojë sepse për të siguruar shumicën parlamentare ka pranuar të zbatojë një dokument të ideuar dhe arritur si një marrëveshje në një shtet tjetër, gjë që cënon sovranitetin e Maqedonisë.
Ivanovi tregoi se është shtetar i aftë që di të shfrytëzojë gabimet e kundërshtarit. Rama dhe Zaevi treguan që janë politikanë diletantë, të cilët bëjnë gjeste boshe. Tani nuk mbetet veçse që në Maqedoni të bëhen zgjedhje të reja, ku VMRO-DPMNE do të marrë edhe më shumë vota se herën e fundit, se shumë maqedonë sllavë do ta braktisin SDSM-në.
Nuk dua të them aspak se Tirana nuk duhet t’ i udhëzojë partitë shqiptare në Maqedoni dhe në vende të tjera përtej kufijve shtetërorë. Por disas gjëra bëhen në konfidencë./Kastriot Myftaraj

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?