Nga Enver Bytyçi: Republika e gangsterëve

Shkrime

Prej 25 vitesh kemi parë shumë herë se si sillen gangsterët në pushtet në këtë vend. Ndërsa tash pas njëçerek shekulli shqiptarët, të cilët shpresuan Shqipëria do të hynte në një fazë të re të zhvillimit të saj përtej tranzicionit, po ndeshën në një gangsterizëm të pamëëhirshëm. Vendi ka bërë hapa prapa në të gjitha aspektet e zhvillimit të tij politik, ekonomik, social e kulruror, sepse Shqipëria edhe njëherë u rikthye në një republikë të gangsterëve. Madje në një formë të pashembullt për botën e qytetëruar.
Repulika e gangsterëve kësaj radhe e ka emrin rilindje. Vetë gansterët i ngjitën vetes këtë emër dhe shpenzuan miliarda për ta ngjizë këtë sllogan në mëndjen e shqiptarëve. Njerëzia thanë fillimisht se mundet t’i besonin kësaj rilndjes mavi. Por tashmë të gjithë, ata që besuan dhe ata që nuk besuan te rilindja, e dinë se kanë rilindur vetëm gangsterët. Armando Prenga ishte njëri prej tyre. Më parë se Armando të bënte kaubojsin, bënë gangsterin tipik disa deputetë të tjerë të rilindjes. Njëri përfundoi në qeli.
Po pse kanë dalë gangsterët në sipërfaqe si kërpudhat? Ka disa arsye:
Së pari, ata shohin se si sillen kryegangsterët. Kur njëri prej kryegangsterëve u akuzua për vrasjen e deputetit Tomë Doshi dhe në vend të hetohej ndëshkoi viktimën e tij, dmth Doshin, u bë shembull dhe frymëzim për gangsterët e vegjël, injorantë dhe të pandreqshëm në mazhorancën e rilindjes. Kur kryegangsteri numër një i qeverisjes kandidoi për kryetar bashkish gangsterët e tipit Roshi dhe me të tillë gangsterë manipuloi, bleu e vodhi votat e shqiptarëve, i hapi rrugë thellimit të tiparit të gangsterizmit në qeverisjen e tij rilindase. Kur po ky kryeganster ia bëri me sy deputetëve të tij gangsterë të godisnin deputetët e opozitës në parlament, syri i kryegangsterit politik medoemos do të shërbente si nxitje për veprime të dhunshme si ato të Prengës. Pra është syri dhe shembulli i kryegangsterëve që bashkëqeverisin shkaku i vërtetë i gangsterizmit dhe kthimit të Shqipërisë në një republikë gangsterësh. Tashmë Shqipëria nuk mund të quhet më Republikë Parlamentare, sepse parlamentin e kanë pushtuar gangsterët politikë dhe ordinerë, sepse ligjet e këtij vendi i bëjnë gangsterët në pushtet. Shqipëria ka marrë formën e një modeli unikal në llojin e vet të qeverisjes. Nuk është më as demokraci, as totalitarizëm, as autoritarizëm. Eshtë demokgangsterizëm i gërshetuar me tiparet më negative të totalitarizmit dhe autoritarizmit.
Së dyti, Kjo republika jonë e gangsterëve drejtohet e votohet nga gangsterët e veshur me politikë, por që janë të lidhur me krimin e trafiqeve dhe krime të tjera në Shqipëri. Shembulli tipik është ministri i Brendshëm, pikërisht ai që duhet të luftojë krimin në këtë vend. Gangsteri ministër na paska një skaf, paska dhe një makinë Audi të tipit të fundit, madje me xhama të zinj. Të dy këto mjete i përdorka për pazaret dhe trafikun e drogës. E mësuan këtë shqiptarët përmes një interviste të shefit të antitrafikut të Vlorës dhe Fierit. Dhe mësuan gjithashtu se gangsteri ministër ka punësuar së paku dhe tre gangsterë të vegjël, të cilët Berisha prej kohësh i ka identifikuar si tezakët e gangsterit ministër.
Po sa ministra të kësaj qeverie identifikohen si gangsterë? Po t’u mbledhim bëmat e tyre në këto dy vite qeverisje, thuajse të gjithë do të merrnin nofkën e gangsterit. Se tipar kryesor i gangsterit, sipas përceptimit të shqiptarëve është sjellja prej mendjemadhi e banditi me njerëzit e me shoqërinë. Megjithë respektin që kam për profesor Panaritin, edhe ai ka luajtur rolin e gangsterit politik, kur ia ka dhënë tenderin e Lagunës së Patokut deputetit Prenga. Kjo sepse ministri i bujqësisë e ka ditur se gjithë parapërgatitja e madje shpallja e atij tenderi është bërë për gangsterin deputet, i cili pasi nisi proçedurat urdhëroi vëllain e tij të krijonte firmën fantazmë. Më parë ka marrë premtimin për tenderin e pastaj ka krijuar firmën. Kjo ndodh vetëm në republikat e gansterëve. Nuk ndodh në republikat normale.
Së treti, gangsterët nuk punojnë, por pasurohen, hapen bythësh si ta kishin gjithë botën nën këmbët e tyre. Për gangsterët punojnë djemtë e tezes, punojnë të tjerët, trafikantët, gjobëvënësit. Në shërbim të gangsterëve nuk ka vetëm skafe dhe vetura me xhama të zinj. Ka edhe avionë të vegjël. Po të mos kishin frikë nga bota që na rrethon do të përdornin dhe boing-et luftarakë, nëndetëset e gjithçka që sjell dobi në thesarin e dollarëve dhe të eurove që sigurojnë nga trafiku. Avionët e parë u shfaqën sapo erdhën në pushtet gangsterët e rilindjes. Tani çdo ditë kapet në Itali nga një avion i vogël, tip “mushkonje” siç i quante kryegangsteri i vendit.
Së katërti, gangsterët e republikës tonë nuk kanë frikë ta përdorin shtetin për t’u pasuruar brenda natës. Njëri prej kryegangsterëve nuk e pati për gjë t’ia krijontë këtë mundësi vetes gjatë kohës kur ishte zv. kryeministër i Shqipërisë, në vitet 2010-2011, përmes kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, ÇEZ. Korrupsioni në republikën e gangsterëve zgjerohet vazhdimisht, madje ne progresion gjeometrik dhe merr formën e një piramide. Piramida ka në majë kryegangsterin. Kryegangsteri kujdeset që ta ndërtojë piramidën me gangsterë të formateve të ndryshëm, të mëdhenj, mesatarë e deri te ata të vegjlit. Në të gjithë piramidën zgjidhen gangsterët, madje pa limit në gangsterizmin të tyre. Në vendet më kyçe, aty ku luhet paraja e madhe e korrupsionit vihet kontigjenti i gangsterëve kontrabandistë, trafikantë e disa herë vrasës. Pastaj vijnë ata që janë ndëshkuar në administratën shtetërore të mëparshme dhe janë larguar nga puna pikërisht për shkak të gangsterizmit korruptiv në funksionet që kanë patur. Këta kanë përvojë në fushën e gangsterizmit, prandaj dhe CV e tyre të pasura shërbejnë si indicje e mirë për t’i tërheq në piramidën e korrupsionit në republikën e gangsterëve. Në fund të piramidës ndodhen korrierët e vegjël të korrupsionit. Të gjithë këta punojnë më së shumti për kryegangsterin dhe gangsterët e mëdhenj të republikës sonë.
Së fundi, karaktëristikë e gangsterëve që drejtojnë republikën tonë është të angazhohen maksimalisht për të fshehur gangsterizmin e tyre. Dhe si e bëjnë këtë? Me sjellje prej gangsteri ndaj njerëzve të vobegtë, të cilët punojnë për bukën e gojës. Me ata njerëz që nuk kanë 30 qindarka të paguajnë autobuzin, megjithëse përpiqen të shesin ndonjë kallam misri të pjekur në rrugë. Këta bëhen objekt i “dëshmisë së virgjërisë” së gangsterëve. Misërpjekësi u shërben për të fshehur milionat e eurove të përfituara në mënyrë kriminale nga kontrabanda, trafiku dhe krimi. Madje sa më shumë që gangsterët pasurohen nga krimi, aq më shumë rritet numri i viktimave të tyre nga shtresat e vobegta të republikës së gangsterëve.
Në republikën e gangsterëve nuk ka shtet, ka vetëm pushtet përsonal dhe oligarkësh. Gangsterët në krye të kësaj rebulike, çfarë është aktualisht Shqipëria, nuk duan t’ia dinë për ata që votojnë, se e kanë të lehtë t’i blejnë, t’i shesin, t’i majmin, t’i tresin, t’i mashtrojnë ose t’i keqtrajtojnë e varfërojnë. Këto janë punët e pista të gangsterëve në një republikë gangsterësh. Shkelin me këmbë kë të duan e kë të munden. Kënaqen me fatkeqësitë e tjerëve. Nuk duan t’ia dijnë nëse ai, i varfëri, i urituri, i eturi për dije a kulturë vuan gjendjen në të cilën e ka katandisur grupi oligark i gangsterëve.