Nga Agim Xhafka: Kënga e Nënës
Nëna kthehej vonë dhe e rraskapitur nga puna. Hante drekën në darkë,bënte pastrimin e shtëpisë,lante e hekuroste dhe shkonte tek dhoma e gjumit. Atje qepte jorganë dasmash. Kishte shumë porosi se ishte artiste,jo artizane . Shtronte copat në tokë,i mbushte me pambuk dhe niste qëndisjen. Për tre-katër orë zvarritej nga një lule tek tjetra.Gjithë nënat bëjnë të pamundurën për fëmijët,por imja është hequr zvarrë për rritjen,shëndetin dhe shkollimin tim,të vëllait dhe motrës.
-Po pse nuk e punon në tavolinë jorganin?-e pyesja.- E nxe se shih sa është!
-Po ku kam fuqi të rri më këmbë,-qeshte ajo dhe këndonte e qëndiste.
-Ke fuqi për këngë,-e ngacmoja.
-Pa këngë nuk çelin lulet. Ja,shihe si po hapet ky tulipani lejla,-më mbushte mendjen ajo.
Ndërsa babai e shpjegonte ndryshe.
-Këndon se merr fuqi,-më thoshte.-Njësoj si druvari. Kur çan një trung të trashë lëshon gjithnjë një ohh të fortë. Sëpata i merr forcë e druri në dysh sa hap e mbyll sytë.
Kështu me këngë mbaj mend që shkoja të flija. E më përfshinin ëndërrat me meloditë e nënës. Si filma,kaluar atyre të Holliwudit…Se pikonin mjaltë.