Rritet tensioni në kufirin detar greko-turk

Rajoni

Rritet tensioni në zonën e ishujve të pabanuar në kufirin detar greko-turk. Tensioni që vazhdon që prej fundit të Janarit sot mori përmasa të tjera teksa dy luftanije greke dhe turke u vunë ballë për ballë në afërsi të ishujve Imia (ose Karadak në Turqisht) në Detin Egje.

Agjencia turke e lajmeve “IHA” tha se rreth orës lokale 18:30 të martën (16:30 me orën shqiptare), një luftanije greke iu afrua ishujve të diskutueshëm. Në të njëjtën kohë në zonë u afrua edhe një luftanije turke, në përpjekje për t’i prerë rrugën asaj greke.

“IHA” tha se dy luftanijet e dy vendeve anëtare të NATO-s ishin vetëm rreth 100 metra larg njëra-tjetrës.

Sipas saj, mes dy luftanijeve hyri një anije patrullimi e rojës bregdetare turke, e cila bëri manovra të ndryshme për largimin e luftanijeve.

Dy luftanijet më pas ndryshuan kurs dhe u larguan nga zona e diskutueshme. Anija greke lëvizi drejt ujërave greke ndërsa luftanija turke u rikthye në portin e Bodrumit.

Ardhja e luftanijes greke në zonë mendohet të ketë ardhur si kundërpërgjigje ndaj një vizite që një anije turke patrullimi bëri në ishujt e diskutueshëm mesditën e sotme. Anija me 56 oficerë turq u afrua deri në 2 metra larg ishujve dhe qëndruan për 10 minuta duke fotografuar vendin, tha media turke.