Nga Rexhep Shahu. Poezi
E PIKTURON DOT MALLIN QE ME DJEG?
E pikturon dot heshtjen ti,
Heshtjen time që pikon pelin,
Që më mbështjell si mjegull
E që shkel mbi të,
Heshtjen që më së shumti ka fytyrën time
Gjithë kohën kur jam pa ty ?
Po ikjen e saj kur vjen ti,
Të qeshurën e hareshme të syve të mi
Që gurgullon kur ti je, e pikturon dot ?
Po tingullin e vdektë e timbrin pa jetë të zërit tim,
Psherëtimën drithëruese,
Dridhjen e mjekrës time,
Bebet e zmadhuara sa dielli të syve të mi kur të shoh,
Bebet gati të shuara të syve të mi, kur s’të shoh ?
E pikturon dot mallin që më djeg,
Boshllekun a zbrazëtinë mes krahëve të mi,
Mungesën tënde aty,
Djegjen e syve të mi që s’e lënë lotin të rrjedhë,
Sy që e pinë vetë lotin e nxehtë ?
E pikturon dot ti atë që ndodh në mua kur të prek,
Atë që kurrë fjala s’e thotë dot,
Atë drithërimë vërbuese që provoj kur të rrok
Në përqafim, e përjetoj paqen që e kërkojmë
E na mungon e na lëndon se mungon ?
E pikturon dot ti ndjesinë që provoj
Kur më përqafon e gudulis në kurriz,
Tek më tërheq nga vetja e shtërngon në gji
Kur të dukem pupël e jo i rëndë përmbi,
Po çastin kur mbetem pa mend mbi ty,
Kur më dukesh Hënë e vetja Diell ?
E pikturon dot ti aromën time përzier me djersë,
Duart e tua të vogla që gudulisin gjoksin tim,
Aromën tënde jo të parfumit, të shpirtit tend,
Duart e mia të mëdha e të ashpra mbushë me gjinjtë e tu,
Dihatjen, dihatjen e dridhjen e trupave tanë,
Shkëndijat, që s’i sheh dot ti as unë, i pikturon dot ti
Kur flakërojnë mes trupave tanë ?
E pikturon dot ti atë që provon zemra ime,
Atë që thonë e shkruajnë sytë e mi
Kur thith pangopshëm buzët e tua,
Kur ti ma shtërngon kokën me gjinj
E kur unë nga lumturia mbes pa frymë,
E vdes nga pamundësia të të fus brenda vetës
E i them zotit, ik se jam zot vetë ?
NE SYTE E MALLIT.
Në sytë e mallit njëri – tjetrin shohim
ndonjë fjalë shkërmoqim ndër gishta
nga ato fjalë që s’i thashë kurrë sa desha
si përshembull, të kam shpirt
ose fjalët që më thoje ti “mirë, ik tani”,
“akoma nuk ike” ose “pse u vonove sot”,
ndonjë e qeshur që dhemb na derdhet në fytyrë.