Nga Agim Xhafka: Fevziu dhe xha Saniu

Shkrime

Sa mbarova universitetin më çuan mësues në Velçan të Gorës. Një fshat në këmbë të malit të Lenijes,kufi me Gramshin,pa rrugë makine,me drita dy-tre orë,pa televizor,por kish një telefon me rrotullim doreze veç me Lozhanin. Në dimër borë e qamet sa qëndronim dhe një muaj pa zbritur në Korçë.
Në këtë humbëtirë kishte njerëz të mrekullueshëm dhe një varfëri vrastare. Edhe bukën,edhe vezët,edhe pak djathë e ca fasule i sillnim nga qyteti !!!
Pas mësimit nuk shtynim dot ditën. Dhe i vetmi vend ku mund të rrije ishte kasollja e rojeve. Atje ishte telefoni që lidhej me lokalitetin ndaj ata që ruanin magazinën e misrit dhe të lopatave merrnin dhe porositë që çonte pushteti me telefon.
Ishte një bythëvend,as 2mx2m. Por futeshim nja dhjetë veta e lihej dera hapur të dëgjonin dhe ata jashtë. Roja i ditës quhej Sani. Nuk ishte i moshuar,por i pa ushqyer,me vetëm një dhëmb të dalë mbi buzën e ngritur e me qurra që i fshinte me kurrizin e dorës,të detyronte ta thêrrisje xha Sani. E ngaqë ishte “pronar” i kasolles fliste veç ai. Tregonte gomarllëqe,broçkulla,gënjeshtra,por nuk e kundështonte kush. Se nesër ai nuk e qaste,e linte jashtë në dëborë. Ndaj shihja që dhe Bert doktori e aprovonte çdo marrëzi të tij. Një ditë na tregoi se në Qafë-Kërrabë,në një tunel u gjetën gjallë ca ushtarë italianë. Që nga lufta për 40 vjet ata u ushqyen me biskota e një curril uji që për fat rridhte aty. U pataksën shumica. Në vend ta merrnin me dru xha Saniun filluan pyetjet se ku laheshi e ku dhisnin italianët. Mendova se po të rrija gjatë në atë fshat do besoja tek xha Saniu siç të tjerët në atë kasolle. Më zuri frika e më kapi ankthi.
Qysh atëhere kanë kaluar dekada. Por sa herë shoh “Opinion” ai emision më duket si kasollja e Velçanit,plot dallkaukë dhe Fevziu si xha Saniu. Fiks. Ka ndryshim në veshje e drita,por mendja njësoj. Broçkulla,rrena,gomarrllëqe e vazhdojnë deri sa vjen mesnata. Pastaj ikin të flenë.
Kështu dhe qëmoti. Ngopeshim me dërrdërre e përrpërre dhe ngriheshim. Iknim.
-Natën e mirë,xha Sani! Na kënaqe!-i thoshim.
Nuk e shihnim kur largoheshim se do të na ngelej në sy dora e tij që fshinte rrëkezën e një qurreje që i zgjatej,por që ai e përfshinte vërtik dhe e ngjishte ndër pantallonat plot andra…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *