Nga Sonila Meço: Hajt se folim

Analize

Nuk mund të kesh një ekonomi të bazuar në konsum nëse konsumatorët nuk e përballojnë dot konsumin”. Një rregull elementar që thënë kështu ngjan si një nga pohimet satirike në Facebook se “Ai që është i varfër nuk është i pasur”. Por me mënyrën si argumentohet situata ekonomike në vend nga vendimmarrësit, reagimet elementare janë përgjigja më efikase.Jemi në vit elektoral dhe gjithçka thuhet e pohohet publikisht duhet situr mira përpara tretjes që mos na zërë refluksi i një realiteti që nuk e përballojmë dot me këtë ekonomi të lodhur. Ekonomi që nuk është aty ku na u premtua rreth katër vjet më parë, që rrezikon kriminalizimin siç nuk e imagjinonim katër vjet më parë e që dendet jo shëndetshëm me manovrat elektorale. Sikur të rritej ekonomia me të njëjtin ritëm siç shpenzohet për fushatë, do t’i ktheheshim jo vetëm të drobiturve të rajonit, por edhe robustëve të botës me atë shpengimin tonë karakteristik: “Hajt se folim…!”.Por ja që batutën sikur na e thonë ata që sot vendosin për ekonominë tonë, nëse I pyesim çfarë nuk funksionoi që nuk jemi ku premtuat.Çfarë dimë nga statistikat zyrtare është se në vitin 2013 rritja ekonomike e pretenduar për vitin 2016 qe 4,5%, ndërsa sot është 3,4%; vendet e reja të punës të pretenduara me nisjen e mandatit qenë 300.000, ndërsa niveli papunësisë sipas Standard & Poor’s nga viti 2012 në 2016-ën është rritur nga 13,8% në 16,9%. Niveli I borxhit publik aktualisht është 71% i PBB (prodhimi i brendshëm bruto), ndërsa në 2013 qe 70,4% i PBB. Vendi është nën një marrëveshje me FMN e cila përfundon në muajin shkurt, me gjasë për t’u riparë vetëm pas zgjedhjeve.Shifrat janë të bezdisura. Por mendojeni këtë analizë si atë që bëni sa herë merrni pagën, ku nisni e zbrisni faturat, shpenzimet fikse të muajit, ato të ndryshueshme, me shpresën se kësaj here mund t’ia dilni edhe për ca kursime dhe kur vjen fundi i muajit jeni me atë ndjesinë e vrazhdë që të lë shpejtësia me të cilën gëlltitet lodhja e mundi juaj. Ndaj le të kuptojmë pak më shumë se ky cikël që i përvishet jetëve tona duke na mbajtur peng borxhesh e mirëqenieje që shtohet vetëm për një grusht, po merr ditët tona më të mira.Dhe borxhi dhemb.Të flasësh për borxhin publik nuk është temë tërheqëse për median. Të paktën jo në sallonet luksoze e me shumë audiencë të saj. Por është temë me rëndësi madhore në ekonomi, sepse ndikon mirëqenien tonë, rritjen ekonomike, punësimin dhe rrezikun në rast të krizave e goditjeve të paparashikuara në ekonomi.Sot Shqipëria ka një borxh shumë lart fuqisë së saj për ta përballuar: 71% të PBB. Dhe nëse askush nuk jep dot një përqindje magjike që do të garantonte ekonomi të shëndetshme ( Eurozona ka përcaktuar nivelin 60%) dimë se në marrëveshjen e shtetit shqiptar me FMN ky nivel është parashikuar 66% në 2017, për t’u ulur në 60% në vitin 2019 me një parim bazik: vendet e varfra, me ekonomi jo prodhuese dhe jokonkurruese nuk duhet të kalojnë nivele mbi 40% për shkak të brishtësisë së tyre në përballimin e krizave, goditjeve të forta të ekonomisë e sidomos të vendeve nga ato varen. Një gjë është e sigurt, barra e tij bie mbi taksapaguesit dhe sado e bezdisshme e jo tërheqëse të ngjajë kjo temë, kini parasysh se me të abuzohet më shumë nga pushteti. E kjo dhemb me breza.Borxhi është shuma që vendi u ka huadhënësve të vet. Kur shpenzimet e buxhetit janë më të mëdha se të ardhurat, duhen hua e kështu qeveria rrit borxhin publik. Borxhi është kumulativ nga natyra e për një vend si Shqipëria me deficite të larta në vite ky borxh është rritur ndjeshëm duke u bërë rekomandimi kronik i çdo misioni financiar në Shqipëri. Pyetjet që më shumë na interesojnë janë:Sa po rritet borxhi?Sa është kosto dhe risku i tij?Me çfarë fondesh financohet deficiti?Hua të brendshme, të jashtme, me çfarë termash?FMN e BB ( Banka Botërore) na kanë furnizuar rregullisht me kredi e projekte për të siguruar rritje ekonomike, konkurrueshmëri dhe punësim. Mjafton të kujtojmë 330 milionë eurot e kredisë së FMN-së në 2014 dhe 1 miliard të BB-së për periudhën 2014-2017 dhe borxhin e marrë në fillim të mandatit të kësaj qeverie për të shlyer detyrimin e papaguar nga papërgjegjshmëria e qeverisë paraardhëse ndaj atyre bizneseve që realizuan punë publike. Dhe logjika do ta kërkonte që kjo nxitje nëpërmjet huasë, të garantonte rritje ekonomike dhe përmirësim të situatës makroekonomike, përfshi reduktimin e borxhit. Dhe borxhi është i frikshëm.Nuk shqetësohen shumë kur borxhi i Gjermanisë arrin në 80%, për arsyen e thjeshtë se njihet konkurrueshmëria e saj dhe aftësia për të paguar e reduktuar borxhin e vet. Ndaj ajo që duhet të sqarohet është se me rritjen 3,4%, por edhe parashikimin më optimist të saj për 4% (mos harroni asnjëherë se jemi në vit elektoral dhe asnjë teori ekonomike nuk shpjegon dot paradokset që shfaqen tek ne) nuk ka mundësi për reduktim borxhi, thënë ndryshe perceptimi i riskut për ne shqetëson tregun e huadhënies, duke rritur normat e interesit e zvogëluar afatet e maturimit.Shqipëria e ka rreth 30% nivelin e borxhit të jashtëm, ndërkohë që gjysma e borxhit të brendshëm është afatshkurtër. E në këtë panoramë shtohet edhe presioni fiskal e shpenzimet publike jo efikase, koncesionet e dhëna e ato që planifikohen të jepen. Përballë kësaj situate të brendshme të ngulfatur, pozicioni ynë duhej të qe i favorshëm me një konjukturë të ekonomisë evropiane në përmirësim dhe me dy projekte madhore si TAP e kaskada e Devollit. Por nëse analizën do duhet ta shterojmë për atë që ekonomia jonë do duhej të kish siguruar deri më tash, kalimi në vit elektoral na kërkon shumë të kujdesshëm, të mençur e mbi të gjitha të ndershëm në raport me veten, jo partinë.Dhe ja ç’thonë faktet:Stoku I borxhit është shtuar me 1,3 miliardë euro nga fundi i vitit 2013.Borxhi I cdo qytetari sot është 382.650 lekë, ose 56% më shumë se në 2010.Kreditë e këqija vijojnë të mbeten në termat shqetësues, 18,2% ( por me fshirjen e më shumë se 255 milionë euro në 2 vjet).Mungesa e kreditimit është refreni konstant i sistemit tonë bankar.Eksporti shqiptar vijon të jetë i ulët, shumë më i ulët se norma që do të mund të mbështeste ekonominë mjaftueshëm për të siguruar konkurrueshmëri.Kontrolli i Lartë i Shtetit publikon të dhëna skandaloze me abuzimet në prokurimet publike, përdorimin e fondeve publike.Ish ministri i Drejtësisë pohon shpenzime të larta e të pajustifikuara e nën vendime joligjore për përballjen në gjyqe tashmë të humbura arbitrazhi.Sondazhi i Shoqatës së Investitorëve të Huaj dëshmon për më shumë se 64% të të anketuarve me shqetësim serioz për klimën e biznesit dhe 71% se investimet e tyre kërcënohen seriozisht nga korrupsioni.Fondacioni Heritage (të cilit qeveria i referohej me krenari në publikimin e tre viteve më parë), sot e sheh Shqipërinë 11 vende më poshtë në renditjen për klimën e biznesit, nga vendi i 54-t në të 65-in.INSTAT pohon se rritja reale e të ardhurave është zvogëluar, fuqia blerëse nuk është përmirësuar.Tonët e hashashit që kapen ( shumë herë më të vogla se ai që kultivohet) po e shndërrojnë ekonominë e krimit në industri, që konkurron ato formale.Dhe në këtë përballje faktesh e shifrash të siguruara nga ente publike e institucione ndërkombëtare, me gjithë faktet dhe shifrat e lexuara së fundmi rrjedhshëm edhe nga shefi i qeverisë (që vetë ka preferuar të përgjigjet gjithnjë politikisht-artistikisht ndaj pyetjeve ekonomiko-financiare) thelbi është ky:A kanë sjellë politikat e deritanishme punësim, prodhim, konkurrueshmëri, rritje pagash e pensionesh (vetëm këtë vit të parashikuara në buxhet, në vitin e famshëm elektoral), mirëqenie? Dhe nëse borxhi i lartë nuk e ka bërë të mundur deri më sot, a do mjaftojë TAP-I e Kaskada e Devollit të energjizojnë ekonominë tonë të fikur?Dhe këtë, secili që e bën analizën sipas jetës së vet mund ta gjykojë, pa i dhënë asnjë ngjyrë arsyetimit, për të mos lejuar askënd t’ia hedhë e aq më pak t’i krekoset me një fodullëk prej hokatari:“Hajt se folim…!!!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *