Nga Desada Metaj: Banditët që mbajnë peng politikën

Aktualitet

19, është numri i deputetëve të parlamentit shqiptar që kanë patur probleme me formularin e dekriminalizimit. Sigurisht që jo të gjithë kanë qenë të dyshuar për vepra penale, madje 5 apo 6 kanë marrë dhe pafajësinë për sa kohë bëhej fjalë për shkelje administrative. Por, gjithsesi mbetet i konsiderueshëm numri i atyre që kanë qenë apo dyshohet se kanë kryer vepra të rënda penale që nga trafiku i lëndëve narkotike deri tek vrasjet apo përfshirja në rrjetet e prostitucionit.

Nuk është aspak e vështirë të kuptohet se si përfunduan këto personazhe në karrigen e deputetit. Me një formim elementar në kufijtë e injorancës, të pasur dhe të fuqishëm në zonat periferike elektorale, ku blerja e votës është fenomen normal, të respektuar nga krerët e politikës dhe prezentë në tryezat e tyre, ata një ditë të bukur vendosën të ishin pjesë e vendimmarrjes politike, dhe pse jo, të ishin të rëndësishëm në vendimmarrje.

Jo rastësisht sot kemi një parlament gangsterësh, jo vetëm për spektaklin dhe fjalorin që shohim çdo të enjte, por sepse mirëfilli kemi deputetë të dënuar në Europë apo gjetkë dhe që sot bëjnë ligjet në Shqipëri. Ata janë pjesë e vendimmarrjes politike, të sigurt në pozicionet e tyre dhe të pafrikësuar. Sepse dhe gazetarët druhen të flasin për ta, kur shohin se deputeti që disktuohet ti hiqet mandati apo një tjetër që duhet të lerë shenjat e gishtërinjve, janë miqtë dhe të preferuarit e Qeverisë dhe Kryeministrit.

“Media e kazanit”, siç ndonjeherë i pëlqen Edi Ramës ta etiketojë, një pjesë e medias rrezikon të shndërrohet vërtet në të tillë për sa kohë një pjesë e financuesve të saj fshihen mes banditëve të parlamentit.

Nuk dihet me saktësi se kur nisi ky kriminalizim i politikës shqiptare, por pa dyshim si asnjëherë më parë sot kemi deputetë apo kryetarë bashkie për të cilët ambasadori amerikan bën thirrje që të mos votohen (edhe pse në fakt ata sërish janë rizgjedhur).  Sot kemi ende kryetar bashkie në Kavajës, Elvis Roshin, në Krujë Artur Bushin, të dy nën hetim, të dy me rastësinë e çuditshme e përdorimit të shumë emrave, dhe po të dy të mbështetur publikisht ose në heshtje nga Qeveria dhe Kryeministri.

Si për rastësi edhe një deputet tjetër i PS, Armando Prenga ka përdorur disa emra, është pjesë e një procesi gjyqësor, i akuzuar për plagosje në Shqipëri dhe zyrtarisht i përjashtuar nga grupi parlamentar i PS. Por jo zyrtarisht, KQZ e drejtuar nga i përzgjedhur i PS po bën përpjekje maksimale që mos ti hiqet mandati, sepse pas tij vjen Kastriot Piroli një tjetër kandidat me dosje penale dhe i fundit në listën e PS për qarkun e Lezhës.

Këto lista dhe këta emra, të përzgjedhur direkt nga Kryeministri Edi Rama janë pa dyshim frika më e madhe për demokracinë në Shqipëri. Sigurisht që ai mund të ketë dështuar në shumë drejtime si drejtues i Qeverisë, në dhënien me koncensione të të gjithë vendit apo nivelin e lartë të korrupsionit, por kriminalizimi i politikës mbetet pa dyshimin më të vogel mëkati më i madh i Edi Ramës si politikan dhe drejtues i një forcë të madhe politikë. Ndaj kauza kryesore e opozitës në betejën e saj me keqqeverisjen pa dyshim që mbetet dekriminalizimi, mbajtja larg e banditëve nga politika.

Sigurisht që dhe opozita ka mëkatet e veta në këtë pikë, por vetëpastrimi dhe vënia e dekriminalizimit si shtyllë kryesore e kauzave të saj mund të mos sjellë shumë njerëz në sheshin e protestës, por automatikisht i jep asaj më shumë mbështetje tek pjesa qytetare dhe e ndershme e shoqërisë shqiptare. Tek ajo pjesë që duket e vogël në numër për shkak të zullumeve ku politika e çoi këtë vend për shume vite me radhë, por që ende beson se e keqja më e madhe mbetet banditizmi politik dhe nuk ngushëllohen me faktin që Vetingun e votuan Armando Prenga dhe shokët e tij të qelisë.

/Opinion.al