Arben Grori: Fajin e kam vetë që erdha këtu. Erdha për të jetuar pranë familjes

Aktualitet

Arben Grori është i dënuar për trafik droge dhe për vrasjen e Naim Zyberit në Milano, në spitalin San Paolo. Është deklaruar fajtor nga drejtësia Italiane të vrasësit të vëllait të tij, Artur Grorit. Tashmë kanë kaluar më shumë se 17 vite nga arrestimi. Në një intervistë nga qelia për gazetën “Shekulli”, ndonëse duke qeshur, Grori kujton kohën kur mediat pasqyronin çdo seancë gjyqësore kundër tij, apo çdo deklaratë që ai bënte. Nga biseda me të kupton se e ndjek situatën jashtë. Të tregon me detaje mënyrën se si sipas tij, funksionon media, flet edhe për politikën e djeshme dhe atë të sotmen. Bën krahasimet mes tyre, e duket sikur mes fjalëve do të gjejë fajtorët e vërtetë të gjendjes, ku ndodhet ai dhe familja e tij. Që në fillim na lajmëron se nuk ka shumë dëshirë të flasë për ngjarjen për të cilën edhe është dënuar, duke shpjeguar, se ajo tashmë është mbyllur në qeli, bashkë me të. Drejtësinë e cilëson të kalbur, të kapur, një sistem për të cilin thotë se nuk ka fuqi të vendosë vet. Grori flet për familjen, marrëdhëniet me fëmijët, mënyrën se si e kalon kohën në burg, luftën që bënë çdo ditë për të shpëtuar nga një sëmundje e rëndë.

Nëse do ktheheshim pas në kohë çfarë do i thoshe Arben Grorit 20-vjeçar?

Çfarë do i thosha. Tani, Arben Grori është 46-vjeçar. Janë ca gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me 20- vjeçarin. Janë punët e lidhura me shtetin. Në Shqipëri atëherë nuk ka pasur shtet. Nëse do ishte ndryshe, unë nuk do ndodhesha këtu. Në atë kohë punoja gjithë ditën dhe nuk i bija në qafë askujt. Por çfarë të thuash kur atij 20-vjeçarit i binin në qafë, si individi ashtu dhe qeveria. Unë në atë moshë kam qenë në Gjermani po ç’e do, erdha këtu, pasi jam shqiptar. Kjo është e keqja ime.

Kujt ia vë gishtin dhe thua, ky më solli këtu ku jam?

Ia vë vetes sime. Fajin e kam vetë që erdha këtu. Pse erdha. Unë i kisha mundësitë të jetoja kudo, pasi kisha nënshtetësinë gjermane. Erdha për të jetuar pranë familjes. Pavarësisht se edhe të tjerët mund të kenë faj, kryesori bie mbi mua