Pritet që protestuesit e shumtë të qëndrojnë ditë-natë para zyrës së Kryeministrit Edi Rama.

Politike

Protesta e sotme do tregojë sa e vendosur është opozita shqiptare për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pritet që protestuesit e shumtë të qëndrojnë ditë-natë para zyrës së Kryeministrit Edi Rama.

Në katër vjet opozitë Partia Demokratike ka shumë pak momente që mund të vlerësohen për aksion të fortë opozitar. Në protestat kryesore që janë zhvilluar në Tiranë, mbahet mend vetëm ajo e vitit 2015, ku gjithë pakënaqësia e PD-së u zbraz tek një bunker para zyrave të Saimir Tahirit. Në dy vitet e fundit, protestat e vetme kanë qenë në foltoren e Kuvendit dhe në Facebook. Përballjet elektorale PD-ja i ka humbur rregullisht. Kauzat politike, përveç dekriminalizimit, janë harruar me ndërrimin e stinëve. Shkurt në një mandat opozitar PD-ja ka reaguar për çështje që nuk duheshin dhe ka heshtur për disa çështje të tjera që mund ta kishin kthyer në kauza kombëtare.

Pas një pauze të gjatë, PD-ja dhe Lulzim Basha vendosën të dalin sot në shesh, në kërkim të standardeve për zgjedhjet e lira. Në kronologjinë e zhvillimeve politike kjo është protesta e radhës. Por për PD dhe Bashën kjo është protesta më e rëndësishme e rrugëtimit 4-vjeçar në opozitë. Nga kjo protestë varet jo vetëm çështja e standardit të zgjedhjeve, por edhe suksesi apo dështimi i opozitës në zgjedhjet e ardhshme. Janë të shumta arsyet që e rendisin tubimin e sotëm, jo si një aktivitet të zakonshëm partiak, por si një ngjarje që do të përcaktojë fatin e PD-së jo vetëm deri në zgjedhje, por dhe pas zgjedhjeve. Ndaj pjesëmarrja masive e qytetarëve në këtë tubim ka më shumë rëndësi se kurrë për PD. Por me shumë ka vendimi që do të marrë sot Lulzim Basha në protestë.

Së pari, sepse pas 4 vitesh opozitë PD-së i duhet një tubim masiv për të treguar se është ende forcë kryesore që premton marrjen e pushtetit. Në këto vite, PD-ja ka humbur çdo përballje elektorale me PS. Në disa bashki është renditur me vota në Këshillat Bashkiak me poshtë sesa Lëvizja Socialiste për Integrim. Nëse sot në shesh PD-ja do të mbledh më shumë njerëz se zakonisht, jep dhe sinjalin se 4 vitet e opozitare nuk e kanë dobësuar..

Së dyti, protesta e sotme është test për kauzat e PD-së, kanabizimin, dekriminalizimin dhe standardet e zgjedhjeve. Në dy vitet e fundit, PD ka folur për rrezikun që ka vendi nga kanabizimi i gjithë territorit. Po ashtu ka folur për blerjen e policisë dhe politikës nga trafikantë dhe kthimin e vendit në një plantacion droge. Gjithashtu, dekriminalizimi është tema kryesore e retorikës së PD-së. Largimet e disa deputetëve nga Kuvendi për vepra penale i kanë dhënë të drejtë PD-së, por sot është rasti për të parë nëse qytetarët e besojnë PD-në dhe Lulzim Bashën kur premton se do të largojë përfundimisht kriminelët nga politika.

Jo më pak e rëndësishme është tema e zgjedhjeve, e cila lidhet dhe me kanabisin dhe kriminelët në politikë. Në muajt e fundit, PD është investuar në çështjen e votimit elektronik, aq sa ka harruar çdo probleme tjetër të vendit. Protesta e sotme, me numrin e pjesëmarrësve do të tregojë nëse PD ka arritur të bind qytetarë se zgjedhjet janë vërtetë të rrezikuara nga qeveria aktuale.

Por më kryesorja e kryesorëve mbetet se çfarë vendimi do marrë sot Lulzim Basha në miting: Do të rrijë katër duke folur e sharë qeverinë dhe Edi Ramën e më pas do u thotë protestuesve “shkoni në shpi se për sot e bëmë tonën” apo do marrë vendim final për të mos ikur nga sheshi para kryeministrisë deri në një zgjidhje të gjithëpranuar nga politika? A do bërtasë duke thënë “Edi Rama njeri i krimit që duhet rrëzuar” dhe më pas do të shkojë në shtëpi për të darkuar me familjen e tij? A do të ketë kurajon që të marrë vendime të forta që zakonisht në PD i ka marrë, dikur, Sali Berisha?

Mbetet të pritet sot vendimi final i Lulzim Bashës. Protestuesit sado të lodhur, të raskapitur dhe të papunë të jenë, sado që mund të duan ta hanë me dhembë kryeministrin Rama, ata nuk mund të vijnë në Tiranë sa herë i kërkon lideri i opozitës.

Ndaj sot qytetarët  presin një VENDIM dhe jo një fjalim të madh!