Shkrime

Artan Fuga: Populli në shesh! Flutura Açka: 10 arsye pse protestoj! Po vetë a do vijnë në protestë?!

Gëzojuni o ju që e plotësuat kontratën me popullin! Hidhërojuni o ju që i kthyet krahët popullit!” me këtë thirrje publike, profesor Artan Fuga iu bashkua protestës së 18 shkurt të Partisë Demokratike. Qëndrimin e tij pro daljes në shesh, Fuga e nis me nje mesazh, për mediat që përhapin panik.

“Ve re në disa media që po trajtojnë aktualisht: ububu çfarë do të ndodhi në mitingun e 18 shkurtit!

Po dramatizojnë.

Nuk është mirë!

Sigurisht që është përgjegjësia kryekëput, e madhe, ekskluzive e organizatorëve, pra e opozitës demokratike, që ai miting të zhvillohet paqësor, pa dhunë, civilizues.

Po ashtu larg provokatorët që të mos luajnë me durimin e masës!

Ndërkaq nuk besoj se njerëzit thirren në miting për të mos iu thënë gjë.

Unë mendoj se konformë të drejtave demokratike ai miting bëhet i dobishëm për të gjithë qytetarët, shoqërinë dhe shtetin.

Eshtë prelud i fushatës elektorale që po afron. Koha mbrapsht ka filluar.

Zëri është i qytetarëve tani” shkruan Fuga, duke dhënë arsyet, se përse qytetarët duhet të dalin në shesh në 18 shkurt.

“Besoj se në kushtet kur zëri i qytetarëve në media dëgjohet aspak,

kur në forumet e pushtetit qytetarët janë krejt të përzënë,

kur propagandat politike në parlament kanë krijuar një amulli të paparë,

kur qytetarin e përdorin thjesht për t’i rrahur krahët duke e uruar për lopën e re,

kur njerëzit po ikin në emigrime me mijra e dhjetra mijra,

ka vend që të shihet se çfarë thonë qytetarët direkt, në shesh.

Se mos i ka ftuar ndonjëherë ndokush në referendume!

Ka nevojë t’i dëgjojnë qytetarët në shesh në rradhë të parë vetë opozita” ka qenë thirrja e profesorit, i cili nuk ngurron të përmendë protestën e zhvilluar në Rumani kundër qeverisë.

“Sa bukur në Rumani ku manifestuesit protestojnë me ekrane të ndezur telefonash smart!

Simbolikë e gjetur. Të gjithë të barabartë, një telefon në dorë, protesta me dritë, po !, popujt duan dritë, edhe ne dritë duam, me kode dixhitale për një shoqëri të numerizuar, moderne, jo të shekullit të kaluar të poçit të llampës me qelq kavaje, me telefona në ëeb, simboli i rrjetit, solidaritetit të pathyeshëm”, shkruan Fuga.

Mbështetja për protestën e Partisë Demokraike në 18 shkurt ka ardhur edhe nga poetja Flutura Açka.

“Vendi më i errët në Ferr, u takon atyre që ruajnë neutralitetin në kohë krizash morale” shkruan Flutura Açka ndërsa rendit 10 arsyet përse do të jetë në shesh të protestojë të ditën e shtunë.

1. Nuk mund të pranoj që pas 25 vitesh demokraci, portretet e diktatorit shfaqen në mitingjet politike qeveritare, ende pa u kërkuar një ndjesë e thjeshtë për krimet dhe shfarosjen, burgosjen, dënimin dhe përdhunimin e mijëra njerëve nën një nga regjimet më të tmerrshëm mbi këtë dhé. Nuk mund të pranoj që faqet e para të gazetave ende hapen me intervistat e eksponentëve të diktaurës. Nuk mund të pranoj që media ende ka ekrane për cinizmin e së vesë së diktatorit.

2. Nuk mund të pranoj që në krye të shtetit tim të jenë narkopolitikanë, që e kanë kthyer Atdheun tim në hambar kanabisi, në qoshe të ndryrë të Europës ku strehohet dhe trafikohet drogë, në triller më të tmerrshëm të vjedhjeve të bankave, të bastisjes së aeroporteve, të vrasjeve të bankierëve dhe çerdhe kriminelësh, mes tyre edhe shpesh të veshur me pushtet.

3. Nuk mund të pranoj dhunën ndaj njeriut të thjeshtë që shet në rrugë, fermerit që i sekuestrohen perimet, njerëz të varfër e të ndershëm që përpiqen të nxjerrin bukën e gojës, kur e di me emër dhe mbiemër se cili ministër ka porositur 50 kostume pesëmijëeuroshe vetëm për veten e tij.

4. Nuk mund të pranoj që të shkatërrohet historia e Atdheut tim, siç po ndodh këto ditë në Durrës, i kërcënuar tashmë jo vetëm nga betoni i shtruar dhe montuar nëpër pallate të shëmtuara, por edhe ngrihet si kupola e strehë në emrin e projekteve kinse urbane. Shqipëria me diell pafund dhe e bukura e dheut nuk ka nevojë për kasketa betoni, siç duan të bëjnë njerëzit e paditur dhe shallvarexhinjtë turkoshakë që na drejtojnë. Nuk mund të pranoj që qytetet janë kthyer në fjetore, dhe fshatrat shqiptare tek e humbin identitetin duke u kthyer në qyteza. Nuk mund të pranoj një Shqipëri të tillë pa identitet.

5. Nuk mund të pranoj të shkatërrohet dhe të kthehet në kodër sheshi më i rëndësishëm i kryeqytetit tim, duke groposur miliona euro, pa menduar se para së gjithash, këta njerëz kanë nevojë për një shërbim publik transporti dinjitoz, kanë nevojë për çerdhe (dhe jo bojatisje çerdhesh), ka nevojë për bibliotekën e qytetit dhe një Bibliotekë Kombëtare dinjitoze, kanë nevojë për kinema të reja, për klinika mjekësore të reja, parqe të rinj, për trotuarë, për puseta, ujë e drita si qyetarë të dinjitetshëm.

6. Nuk mund të pranoj që në mënyrën më kriminale farmacive të Atdheut tim shiten shpesh barna të skaduara dhe të pakontrolluara, që në spitalet publike shqiptare edhe për shërbimin më të thjeshtë, madje edhe për të të pastruar nën shtrat, duhet të paguash, që edhe të parkosh në një parkim publik të spitaleve (falas), duhe të paguash, që edhe barnat e tua falas si pacient, duhet t’i blesh vetë nga jashtë spitalit.

7. Nuk mund të pranoj, që si kurrë në historinë shqiptare, dekrarime raciste të artikuluara nga eksponentë të lartë shtetërorë, janë bërë aq të shpeshta dhe aq hapur kundër një pjese të shqiptarëve, termat e përçarjes mes shqiptarëve në gegë e toskë, termat „çun tirone“ e „tosk i madh“, leqendisje e hargalisje publike ndaj qytetarëve të thjeshtë e që „të epërmve“ me pushtetu duken nën klasin me të cilën begenis të debatojë poltika, shpërvjelja e qytetarit të thjeshtë dhe tallja publike – kategori etike të papranueshme dhe të neveritshme për mua.

8. Nuk mund të pranoj që media shqiptare, e cila ka rolin më të madh në këta njëzet e pesë vite në shërbim të fjalës së lirë, është tani një e burgosur kombëtare, e shitur në të shumtën e saj si kurrë më parë ndaj pushtetit, kërcënimet, hedhjen në rrugë, denigrimin dhe intimidimin e gazetarëve të thjeshtë, kësaj armate dhe këtij pushteti në shërbim të publikut. Akuzoj censurën e gjallësuar dhe e ushqyer viteve të fundit, si kurrë më parë, si një dëshmitare personale dhe viktimë e saj.

9. Nuk mund të pranoj një administratë shtetërore të shpërfilluar, të ndarë politikisht, të përdorur dhe të keqpërdorur, të kërcënuar dhe të kthyer në shërbëtorë të politikës intelektualë të keqpaguar dhe të harruar, institucione që i shërbejnë artit, historisë, kulturës, edukimit të keqpaguar dhe të shpërfilluar nga politika dhe politikat shtetërore.

10. Nuk mund të pranoj që Opozita, e sotme, e djeshme dhe e nesërme, që përfaqëson në çdo kohë interesat e qytetarëve të thjeshtë, të jetë inaktive, të bëjë kinse protesta, të bëjë kompromise (si dukshëm një pjesë e deputetëve të opozitës së sotme, të cilët nuk kanë folur ende asnjë fjalë në Parlament) dhe të mos e ngrejë me protesta paqësore zërin dhe shqetësimin e qytetarëve, për çka edhe është votuar, qoftë edhe në minorancë”

Total 1 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?