Prokuroaria i kërkon Kuvendit të dhënat për pagën e deputetit Peza.

Prokuroria e Përgjithshme ka thelluar hetimet për deputetin socialist, Alfred Peza, i akuzuar për tre vepra penale, për evazion fiskal, deklarim i rremë i pasurisë dhe falsifikim dokumentesh. Hetimet për deputetin Peza nisën pasi bashkëshortja e tij ka blerë aksione në një bankë të nivelit të dytë, me afro 1 %, me vlerë 1.13 miliardë lekë të vjetra. Prokuroria e Përgjithshme pasi ka marrë dëshminë e ish-deputetit ditën e premte të javës së kaluar, ka shtrirë hetimet duke kërkuar informacion edhe në institucione të tjera. Burime të gazetës kanë bërë me dije se Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku i kërkon informacion të detajuar mbi transfertat e këtij institucioni në adresë të deputetit Peza, për aktivitetin e tij si anëtar Parlamenti. Po ashtu, është mësuar se organi i akuzës do të thellojë hetimet duke kërkuar informacion edhe në vendet ku ish-gazetari ka ushtruar profesionin. Vetë deputeti i Partisë Socialiste, pas dëshmisë 3-orësh në prokurori të premten e kaluar, tha se në krijimin e pasurisë së tij nuk ka asnjë elementë të jashtëligjshëm. Ai refuzoi të japë shumë shpjegime për gazetarët mbi akuzat e ngritura dhe dëshminë që ka dhënë në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjatë ditëve në vijim, organi i akuzës do të ketë informacione më të plota nga institucionet për të arritur në një konkluzion rreth ligjshmërisë së pasurisë së vënë nga deputeti socialist.

Akuzat

Ndaj deputetit socialist janë ngritur 3 akuza, pasi në media u publikua lajmi se ai u bë aksioner i një banke të nivelit të dytë. Prokuroria e Përgjithshme po heton ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Alfred Peza, për akuzën e evazionit fiskal, deklarim i rremë i pasurisë dhe falsifikim dokumentesh. Në prokurori veç Pezës kanë dhënë dëshmi edhe ish-bashkëshortja e Alfred Pezës, Adelina Toli. Zonja Toli ka pranuar të bashkëpunojë me institucionet e akuzës me kushtin që t’i sigurohet jeta e djalit, pasi ka frikë për sigurinë e tij. Po ashtu, në mënyrë që të zbardhet ligjshmëria e pasurisë së deputetit, kreu i ILDKP, Shkëlqim Ganaj dhe kreu i KLSH, Bujar Leskaj kanë zhvilluar një takim me Prokurorin e Përgjithshëm. Peza është shprehur se mirëpret vendimin e ILDKPI për kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ mbi pasurinë e familjes së tij, pasi “aksionet i kemi blerë nga kursimet e shumë viteve punë”.

Pasuria

Deputeti i Partisë Socialiste, ish-gazetari Alfred Peza, rezulton me një pasuri të madhe. Disa dokumente të publikuara në media tregonin se bashkëshortja e tij është bërë aksionere e një banke të nivelit të dytë, me afro 1 % me vlerë 1.13 miliardë lekë të vjetra. Sipas kontratës së bërë publike, bashkëshortja e Alfred Pezës, zonja Mirela Ndini i ka blerë aksionet më 17 mars të vitit 2015. Deputeti Peza pasi u bë publik ky dokument, tha se paratë janë kursime në vite të dy bashkëshortëve dhe nuk kishte asnjë të paligjshme në to. Pritet të shikohet nëse edhe Prokuroria e Përgjithshme do të dalë më të njëjtin konkluzion pas kryerjes së hetimeve./Sot

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments