Preçi: Paratë do t’i paguajnë qytetarët!

Aktualitet

Nga Enkel Xhangoli

Policia e Tiranës njoftoi si sukses sot arrestimin e disa personave të cilët dyshohen për 2 grabitjet e realizuara në rrugën drejt Rinasit. Por ajo që të binte në sy ishin kartmonedhat 1 dollarë apo 20 paund të sekuestruara nga policia, pavarësisht se shuma e grabitur për të dy vjedhjet i kalonte 5 milion euro.

“Zbardhen dy grabitjet e ndodhura në aksin Tiranë – Rinas, ndodhur më datë 3 Dhjetor 2015 dhe 9 Shkurt 2017, ku u vodhën vlerat monetare pas sulmit me armë ndaj eskortave “Rogat Security” dhe “Jaguar”. 4 persona në pranga, 2 në kërkim. Sekuestrohen vlera të konsiderueshme monetare në Paund, Dollarë, Euro dhe Lekë.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit e cila publikoi edhe foton me paratë e sekuestruara.

Drejtuesi i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj u pyet nga gazetarët për shumën e parave të gjetura por ai iu shmang duke thënë se çështja është në hetim. Ndërkohë, mungesa e parave do të krijojë një situatë të rënduar për xhepat e qytetarëve shqiptarë. Në një intervistë për Boldnews.al, eksperti i ekonomisë Zef Preçi shprehet se shërbimet për qytetarët do të rriten ndjeshëm.

“Parat e humbura do të dalin nga qytetaret që janë klientë të kësaj banke, në këtë mënyrë kemi abuzim ndaj qytetarëve. Nga njëra anë ulin normën e interesit dhe nga ana tjetër rrisin normën e interesit për kredi, po kështu rrisin dhe kostot për shërbimet që ofrojnë dhe trasanksionet. Pra, në këtë mes, të penalizuarit janë qytetarët shqiptarë.”- u shpreh Preçi për Boldnews.al.

Sipas Preçit, bankat e grabitura zakonisht përdorin metoda të fshehta për zvëndësimin e parave të humbura nëpërmjet trasaksioneve që bëhen jashtë vendit.

“Metodat e fsheta që këto banka përdorin janë zakonisht trasaksionet që bëhen brenda dhe jashtë vendit. Por kryesisht me ato jashtë vendit. Gjithashtu një tjetër metodë është dhe interesi i depozitave të cilat tentojnë të ulen. Këto metoda janë në dëm të drejtpërdrejt të depozituesit.”– shton më tej ai.

Për ekspertin e ekonomisë diçka tjetër tepër e dëmshme është se këto grabitje dëmtojnë imazhin e vendit, duke i bërë bankat dhe investitorët e huaj të ndjehen të pasigurtë në vendin tonë.

“Në thelb këto grabitje dëmtojnë imazhin e vendit, i cili është një dëm më i madh se vetë kostoja e parave të grabitura. Ndërsa  ngjall një pasiguri të madhe në biznes, pasi krimi i organizuar është fuqizuar së tepërmi duke kushtëzuar biznesin.”-tha eksperi i ekonomisë.

Preçi u bën thirrje ekspertëve të tjerë që për interesa të ndryshme apo personale përpiqen që ta minimizojnë dëmin e shkaktuar prej këtyre grabitjeve.

“Ekspertë ekonomie të nxitur nga këto banka shprehen në medja për dëme jo shumë të rënda të shkaktuara prej këtyre grabitjeve, kjo ndodh për interesa të ndryshme të tyre apo qoftë dhe për të qetësuar situatën. Në fakt e vërteta është ndryshe, pasi në këto raste problemi më i madh i bankës është ngjallja e panikut tek klientët e saj.” – përfundon intervistën Zef Preçi për Boldnews.al.