Desada Metaj: Kush e emëroi Vilma Nushin anëtare të bordit në Instat?!

Emri i Vilma Nushit, një prej grave më të fuqishme të biznesit në Shqipëri ka qenë thuajse i panjohur deri me ardhjen në pushtet të PS. Ishte opozita që përmendi Nushi për tenderin e fituar nga njëra prej kompanive të drejtuara prej saj për kontrollin e detyruar mjekësor (check up) me vlerën fillestare të 5.4 milion euro.

E njohur fillimisht, në rrethet e biznesit për aktivitetin në fushën e marketing- distribution që prej vitit 2014, sipas të dhënave të revistës “Monitor”, Nushi nis aktivitetin dhe në fushën e farmaceutikës. Por së fundmi, sipas një dokumenti emri i saj shfaqet dhe në listën elektronike të zyrtarëve të Kryeministrisë që kanë bërë formularin e vetëdeklarimit dekriminalizimin dhe verifikimin e integritetit të figurës.

Interesimit zyrtarë të Kryeministrisë iu përgjigjën se Nushi është anëtare e bordit të Institutit të Statistikave. Kjo duket qartë dhe në faqen online të INSTAT ku emri i saj është në listën e anëtarëve të këshillit të statistikave.

Këtë e sqaron me anë të një e-maili dhe drejtuesja e këtij institucioni, Delina Ibrahimaj e cila konfirmon se zonja Nushi është anëtare bordi me vendim të Këshillit të Ministrave që prej tetorit të vitit 2013 e në vazhdim.

Deri këtu duket se çdo procedurë e ndjekur rezulton formalisht në rregull dhe pjesëmarrja e saj në këtë bord është si pjesë e botës së biznesit. Por në një vështrim pak më të detajuar, pyetja që lind është:

Pse një fituese e koncesioneve të qeverisë duhet të ketë një post honorifik në këtë bord?

A ka lidhje apo dhe më tej konflikt interesi fakti që tenderat më të përfolur në shëndetësi kanë lidhje të drejtpërdrejtë me numrin dhe llogaritjen e moshës së popullsisë që duhet të bëjë check up?

Dhe në fund, mbi ç’kriter Kryeministria zgjedh anëtarët e bordit drejtues të një institucioni me rëndësi të veçantë publike ?

Në listën e siguruar nga Opinion.al, ku janë të renditur punonjësit e Kryeministrisë që kanë plotësuar formularin për dekriminalizimin dhe verifikimin e integritetit ka dhe emra gazetarësh të njohur!

Me sa duket janë dhe ata pjesë e bordeve të ngjashme me atë ku është zonja Nushi. Askush nuk ka të drejtë të verë në dyshim (pa provuar të paktën) që ata e meritojnë të jenë pjesë e këtyre bordeve apo janë thjesht zgjedhje personale e Kryeministrit.

E rëndësishme është që publiku ka të drejtën të dijë e te informohet për emrat dhe përbërjen e bordeve të institucioneve publike, që së paku siç shkruhet dhe në çdo statut “është organi më i lartë drejtues i ngarkuar për mbikëqyrjen dhe aktivitetin” e institucioneve publike që normalisht paguhen me taksat e çdo shqiptari.