Admir Murataj në arrati, policia i ve prangat kopshtarit për spektakël.

Aktualitet

Një person i gjunjëzuar dhe me duart e prangosura në pjesën e pasme qëndron me fytyrë nga muri në oborrin e një shtëpie. Pesë efektivë të maskuar pozojnë për një foto. Dy prej tyre vështrojnë nga aparati fotografik. Të tjerët në sfond, të armatosur rëndë.

Pamja prej kartoline është bërë në Prezë, në shtëpinë e Admir Muratajt, gjatë kontrolleve të policisë të martën. Por Murataj është ende në arrati.

Kjo është vetëm një prej dhjetëra fotove, që iu servirën gazetarëve të martën, pas aksionit për kapjen e grabitësve të Qafë-Kasharit. Të tjerat, të shoqëruara edhe me video tregojnë pjesë nga aksioni ku u përfshinë qindra efektivë nga RENEA, FNSH apo forca të policisë së Tiranës.

Shikoni edhe njëherë foton që ka shpërndarë policia. I prangosuri është bahçevani i shtëpisë. Kopshtari u gjet në momentin e gabuar dhe në vendin e gabuar. Për të mos e identifikuar e kanë kthyer nga muri, ndërkohë që efektivët e policisë pozonin para kamerës.

Vërshimi i blindave dhe furgonave të policisë në Vorë dhe Prezë nisi mesditën e së martës dhe lajmi për “superoperacionin”goditi menjëherë ekranet e mediave dhe portalet. Por çfarë qëndron pas superoperacionit të zhurmshëm që u shtri në të gjithë zonën nga Tirana në Rinas?

Nga krahasimi i qelizave të celularit në zonën e Qafë-Kasharit rezultoi se Fatjon Xhyli kishte qenë aty pranë, kur ndodhi grabitja. I njëjti person kishte qenë i dyshuar edhe për grabitjen e dhjetorit të vitit 2015.

Të shtunën, Xhyli u arrestua nga policia së bashku me Ditmir Memlikën, por arrestimi i tyre nuk u bë publik. Dy grabitësit e tjerë ishin identifikuar dhe mendohet se u mbajtën në vazhgim nga policia, por arrestimi u bë ditën e martë.

Të shtunën nisi inskenimi i “superoperacioni” për arrestimin e grabitësve të tjerë.

Saimir Tahiri ishte në një moment të vështirë kur ndodhi grabitja. Prej ditësh sulmohej nga të gjitha anët. Në njërën anë linja e ngarkuar me hashash drejt Italisë, në anën tjetër grabitjet dhe vrasjet. Ngjarjet e rënda i jepnin të drejtë atyre që ia kërkonë dorëheqjen prej kohësh, kundërshtarëve politikë. Për këtë, i duhej “megaoperacioni”, si një përgjigje për kundërshtarët politikë.

Me përmasat e një spektakli, aksioni filloi me lëvizjen e blindave, helikopterëve ku kishte edhe kameramanë dhe qindra efektivëve të armatosur në terren. Kontroll në hotele, rrethimi i një pallati në Vorë nga forcat speciale dhe postblloqe në të gjithë autostradën.

Pjesë e spektaklit ishte edhe kontrolli i shtëpisë së boshatisur së Admir Muratajt, aty ku u gjet bahçevani, që nuk kishte as çelësat e portave të jashtme dhe të bodrumit. Banorë të zonës thanë se efektivët e armatosur hynë nga bodrumi në shtëpi, por nuk gjetën asnjeri.

Pjesë e spektaklit ishte edhe heshtja prej disa orësh e policisë, pas arrestimit të grabitësve. Me një status në Facebook, Saimir Tahiri paralajmëroi lajme të mira, ndërkohë që përgatitej konferenca e drejtorit të policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Gazetarëve nuk iu bë me dije menjëherë arrestimi i grabitësve për ta bërë akoma më të nderë situatën.

I kënaqur për efektin mediatik që krijoi me kapjen e grabitjes, Saimir Tahiri nuk e ndali buzëqeshjen në daljen e Drejtorisë së Policisë. Dhe për të konfirmuar se e gjitha ishte një inskenim bëri politikë me deklaratat e “frontit të së keqes” apo “ata që nuk duan vetingun”.

Nuk ka asnjë dyshim se kapja e grabitësve ishte një sukses, por inskenimi dhe fryrja mediatike që i bëri Tahiri, për ta përdorur politikisht ngjarjen, i ngjan pamjeve filmike që shpërndan Erjon Veliaj për mediat. Vetëm se ndërsa kryebashkiaku luan me autobuzët bosh, apo me këndet e lojërave, Tahiri bën teatër me qindra policë të armatosur, blinda dhe helikopterë. Banorë të Prezës thonë se Admir Murataj prej kohësh jetonte në shtëpinë e tij në Prezë dhe është zhdukur pas grabitjes së të enjtes, duke iu lënë policisë pozat me bahçevanin.(Lapsi.al)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *