Mediu dhe Duka: Thirrje PD-së për protesta të qëndrueshme

Politike

Aleatët e PD-së thanë se situata është shumë e rënduar në gjithë aspektet, ndaj vendi ka nevojë për një protestë të qëndrueshme deri në arritjen e qëllimit.

Mediu dhe Duka thonë se kjo duhet të jetë një protestë, ku zëri qytetar të vendosë mbi krimin e korrupsionin, të ngrihen për ekonominë e tyre e për të votuar të lirë.

“Ekonomia, krimi i organizuar, varfëria, të gjitha këto janë elemente që janë shtruar këmbëkryq në shoqërinë shqiptare dhe nuk ka asnjë lloj reagimi dhe keto nuk është se janë rrjedhojë e një procesi normal por të një politike tërësisht të organizuar nga ana e qeverisë që ka të bëjë me lejimin e trafikut të drogës, kultivimit të kanabisit, me marrëdhëniet me krimin e organizuar, banditët sillen si shtet dhe shteti si bandit; një situatë krejt e papranueshme. Këto çojnë në një proces zgjedhor tërësisht të paramanipuluar, të provuar si të tillë në të gjitha zgjedhjet që janë kryer deri tani dhe ajo ç’ka është më e keqja, u heq autoritetin dhe forcën qytetarëve shqiptarë për të vendosur kush do të jetë e ardhmja e këtij vendi”, tha Mediu.

“Në kushtet e një ekonomie të renduar dhe në kushtet kur parashikimi për zgjedhje të lira e të ndershme është negative atëhere është normale që njerëzit të reagojnë me protesta sepse si çështja e parë edhe e dyta nuk janë vetëm probleme të popullit opozitar por janë problem i popullit shqiptar në përgjithësi”, tha Duka.

Askush nuk pohon se cili duhet të jetë skenari, por se cili nuk duhet të jetë. Protesta sipas aleatëve duhet të jetë ndryshe prej të tjerave.

“Unë mendoj se nëse opozita do të jetë e sipërfaqshme që të shkojë para qytetarëve të flasë disa fjalë e pastaj këtu mbaron çdo gjë për të menduar se kush do të jetë pastaj protesta e ardhshme, unë mendoj se kjo nuk do të ketë vlerën që duhet të ketë. Është shumë e rëndësishme që të ketë një seri marrëdhëniesh dhe aktivitetesh për të ushtruar presionin maksimal mbi qeverisjen por njëkohësisht edhe për të bërë të mundur edhe një ndërgjegjësim të shoqërisë shqiptare e të faktorit ndërkombëtar për situatën e papranueshme në vend. Kush janë mënyrat dhe format e organizimit të saj ngelet për tu diskutuar në Partinë Demokratike dhe në tryezën e gjërë të opozitës”, thotë Mediu.

“Nëse do të vendoset që të vazhdojmë të qëndrojmë edhe unë bashkangjitem çdo lloj vendimi që do të marrë opozita dhe Partia Demokratike. Natyrisht ky vendim nuk mund të merret apriori thjesht sepse ke dëshirë të qëndrosh, por merret kur shihet realisht që ka një reagim ndaj qeverisjes dhe kjo më shumë se sa politike duhet të burojë nga kërkesat që ka vetë populli në përgjithësi”.

Aleatët e Partisë Demokratike u mblodhën në drejtimin e Bashës javës që shkoi për të koordinuar punën në rrethe në funksion të organizimit dhe arritjes së qëllimit të protestës që kanë thirrur