Viola Kaloshi: Baba, të vranë për herë të dytë

Shkrime

STATUSI I PLOTE I VIOLA KALOSHIT
Krimi ende i lirë edhe sot pas 20 vitesh
Me dhimbje të thellë mësova lajmin e vrasjes për herë të dytë të babait tim Bujar Kaloshi. Këtë lajm për herë të parë e përjetova 20 vite më parë, në moshën 13-vjeçare.
Ndërsa mes lotëve dhe dhimbjes vrapova drejt makinës së tij për ta përqafuar ashtu siç bëja çdo mëngjes, pasi mëngjesi ishte i vetmi moment kur unë mund te lumturohesha me prezencën dhe dashurinë e tij. Kjo, për shkak të orëve të tij të gjata në punë, për të ndërtuar një shtet ligjor, të ndershëm, të meritokracisë dhe vlerave.
Por, atë mëngjes gjithçka u pre në mes. Dora kriminale ma kishte gjakosur tani me përqafimin tim, ashtu siç beri edhe sot. Ndërsa, duart e mia, të një fëmije të mitur u mbuluan nga gjaku i pafajshëm i babait tim Bujar Kaloshi.
Si mundet të rivrasësh një njeri si Bujar Kaloshi, që jo vetëm punoi me devotshmëri, përkushtim, e besnikëri, por dha edhe jetën për vendin e tij, deri në ditën e fundit, duke lënë pas tek në fëmijët e tij një plagë të madhe.
Ai shpesh thonte se jap edhe jetën për shtetin. Dhe e dha jetën si zyrtar i shtetit. Por, pavarësisht kësaj, krimi mbetet ende i lirë.
Orët e drejtësisë janë mbuluar tani më, nga orteku i madh i padrejtësive, etjes për pushtet të çakejve, krimi i organizuar, korrupsioni, droga etj. Madje, madje i tejkalojnë edhe ato të diktaturës famëkeqe.
I dashur babi im, askush nuk mund të përgjakë më tej rrugëtimin tonë të përbashkët drejt se vërtetës. Sikurse, s’do mund të përballtë kurrë vlerat dhe virtytet më të mira si; ndershmëria, krenaria, fisnikëria, bujaria, drejtësia, etj., që ti rrënjosë tek ne.
Sot, emri dhe gjurmët që ti ke lënë pas janë të gjalla. Ne të takojmë çdo dite, tek të njohur apo të pa njohur, të cilët përloten dhe përulen me respekt teksa flasin për ty.
Të dashur miq,
Bujar Kaloshi ishte Gladiatori që e fitoi betejën me ju dhe për ju. Falë mbështetjes dhe besimit tuaj të palëkundur, ai luftoi për shtetin e së drejtës, një Shqipëri Euro-Atlantike dhe Kosovën e pavarur.
Në emër të vlerave tona të përbashkëta ju lutem pranoni, mirëkuptoni këto rreshta dhe mbështesni më tej në rrugëtimin drejt së vërtetës.