Nga Indrit Vokshi: Koment mbi Grevën e Fierit

Analize

Greva është formë ekstreme proteste. Me anë të pazakonshmërisë së saj, grevistët synojnë të zgjojnë dhembshuri tek individët/shoqëria dhe, ta shantazojnë qeverinë nëpërmjet fitimit të mbështetjes publike për grevën. Është një luftë nervash.

Në Bashkimin Sovjetik të Stalinit, pushteti ishte aq i djallëzuar në trajtimim e grevave të të burgosurve.

Përshembull, autoritetet vendosën se ditët e grevës nuk do të llogariteshin si ditë burgu. Numërimi i ditëve të burgut ndërpritej kur niste greva dhe rifillonte vetëm kur i burgosuri ndërpriste grevën. E të tjera e të tjera masa.

Synimi ishte t’ua bënin mjet të paleverdisshëm grevën. Dhe ia arritën. Nervat dhe perversiteti i pushtetit rezultuan aq të forta, saqë të burgosurit e kuptuan se ska vlerë greva, nuk bën efekt. Dhe grevat u ndërprenë.

Në rastin e Fierit, logjika është e njejtë dhe perversiteti i pushtetit është në nivele staliniste.

Meqenëse synimi i grevistëve është ta shtrojnë qeverinë, duke e detyruar atë, nëpërmjet fitimit të mbështetjes publike, qeveria staliniste ka zgjedhur t’ua bëjë të paleverdisshme grevën, duke iu mohuar mundësinë për të marrë mbështetje publike: duke iu fikur kamerat. Duke urdhëruar televizionet të mos e ndjekin e të mos japin alarm për ketë grevë. Pra qeveria u ka hequr armën e vetme ku grevistët shpresonin: komunikimim me publikun. Të njejtën metodë ka përdorur në shumë protesta, duke urdhëruar televozionet të mos i filmojnë.

Mund të mos pranosh kërkesat, mund të kesh edhe të drejtë si qeveri që si pranon. Por nuk mund të refuzosh të përballësh argumentet me grevistët duke urdhëruar median t’i bojkotojë. Nëse nuk pranon të përballesh me ta, kjo dmth se grevistët kanë të drejtë.

Dhe sigurisht kanë të drejtë, sepse spo lypin privilegje, thjesht po kërkojnë të mos trajtohen si skllevër. Dhe si njeri me pikëpamje të djathta, respektoj punën dhe dëshiroj që çdo njeri që punon të trajtohet me drejtësi.

Sikundër përçmoj cilindo që duke i parë se janë të dobët, shkel mbi ta dhe iu mohon edhe mundësinë për t’ia bërë të ditur kombit kërkesat dhe hallin e tyre.