Dule: Sot jam deputet falë ndërhyrjes së Arvizu-së

Politike

Gjatë intervistës në Top Story, Dule tregoi se si ndodhën ngjarjet në zgjedhjet e 2013-ës.

Vangjel Dule:  Më shqetëson shumë hipokrizia dhe nuk mund ta konceptoj që në një moment kur jam në nevojë dhe kam të domosdoshme mbështetjen e një personi të jem krejt i ndryshëm dhe në momentin që s’më duhet më kjo mbështetje, të jem 180 gradë i kundërt. Periudha mars-qershor 2013 ishte një leksion shumë i hidhur për mua. Pashë tek drejtuesit e PS, nga qëndrime që ishin të papranueshme për mua, lutëse dhe menjëherë pasi konsolidoheshin në pozita superioriteti, në situata krejt të kundërta zhvlerësuese dhe aq më tepër në situata me tendenca të qarta për të dëmtuar, minuar përpjekjet dhe rezultatin elektoral të PBDNJ, apo përpjekja përfundimtare për ta lënë në mënyrë artificiale përmes shtrembërimit të vullnetit edhe jashtë Parlamentit.

Nuk mund t’ua fsheh. Është fakt pak i thënë që zgjedhja ime në Parlamentin aktual i kushtohet ndërhyrjes në momentin e duhur të ish-ambasadorit amerikanë dhe zonjës së nderuar kryesuese e misionit të OSBE/ODIHR. Në një qendër numëruese votash, ku PBDNJ ishte e papërfaqësuar, as me vëzhgues, votat e PBDNJ ishin plaçkë këmbimi mes dy kampeve të politikës. Ishte pikërisht qendra e numërimit të votave në Ksamil, ku ka edhe numrin më të madh të votave të veta PBDNJ.

Sokol Balla: Si ka mundësi që ju nuk kishit vëzhgues atje?

Vangjel Dule: Nuk kishim vëzghues sepse koalicionet kanë të drejtën e emërimit të tre vëzhguesve, krahas anëtarëve të grupeve të numërimit dhe anëtarëve të ZAZ. PBDNJ kishte marrëveshje me zotin Rama, pra me Ramën jo me PS, sepse ishte po ai më pas që nuk iu përmbajt kësaj marrëveshjeje. PBDNJ është e natyrshme që aty ku ka mundësi të konsiderueshme dhe të mirëqëna për të zgjedhur deputet, të kishte përfaqësues në komisione. I propozuara, sepse pushoi cilësia e të qënit përfaqësues i PBDNJ, zoti Jani Jani ndoqi opozitën dhe dha dorëheqjen si anëtar KQZ pas shkarkimit të zotit Muho që ishte i paligjshëm dhe mos harroni, që edhe zoti Berisha u pozicionua pozitivisht dhe me ironi ndaj lëvizjes së PBDNJ. Mesa duket, zoti Berisha e dinte mentalitetin mbizotërues të PS më mirë se unë, nuk kishte iluzionin që kisha unë. (Top Story)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *