Aktori i “Portokalli”: Këtu nuk bën njeri hajër me ndershmëri. Ika nga ky vend.

Gent Bejko, i njohur në Shqipëri si aktor, edhe pse i diplomuar për regjisor, prej më shumë se një viti ka emigruar së bashku me familjen, në Kanadanë e largët.

Në një intervistë me gazetaren Entela Resuli, botuar sot në Dita, aktori të cilin publiku e kujton për rolet e veçanta në spektaklin e humorit “Portokalli”, shpjegon arsyet pse vendosi të lejë Shqipërinë.

Nuk është se ika nga mërzia.regjisor

Ngado të shkosh mund të mërzitesh një ditë. Ika se desha më shumë.

Fatkeqësisht në vendin tonë llafet e shumta dhe puna e pakët, prostituimi politik dhe llumi i tepërt që çdo ditë e më shumë tregon se është ajka e një vendi ku njerëzit heshtin kur s’duhet dhe flasin kur s’duhet, është bërë rutinë.

Por të gjitha sa them më sipër si gjithmonë do të gjykohen mbrapsht.

Tingëllojnë më bukur nga goja e ambasadorëve të huaj në Shqipëri arsyet pse largohen shqiptarët nga Shqipëria” – thotë Bejko.

Ai shton se për fat të keq, në Shqipëri gjithçka është shndërruar në materializëm dhe interes.

Fatkeqësisht kam kuptuar se shumica jetojnë për të tjerët më shumë sesa për veten. Këtu fillon defekti, ndoshta.

Në Shqipëri nuk mungojnë marrëdhëniet njerëzore, ato thjesht keqdrejtohen e keqpërdoren dita-ditës.

Gjithçka është shndërruar në materializëm dhe interes, mbase.

Çdo ditë e më shumë truri i shoqërisë bombardohet me informacione boshe ose me idhuj që nuk thonë asgjë. Ne jemi fajtorët kryesorë”.

Bejko thotë në intervistën me Resulin se problemi i Shqipërisë nuk është se është vend i vogël

Më tepër sesa vend i vogël, jemi një vend që çuditërisht prodhojmë maska të jashtme me shumicë. E më ironiken?

Shumica e shqiptarëve që jetojnë jashtë kur i takon këshilla e parë që të japin në konfidencë është: Mos rri me shqiptarët!”.

Regjisori i njohur thotë gjithashtu se ne shqiptarët kemi harruar ç’është ndershmëria.

“Virtyti më i dëmshëm për kohët kur jetojmë. Dhe maska më e mirë që deklarojnë batakçinjtë aktualë.

Për sa kohë jetova në Tiranë, rrallë pashë të bëjë hajër njeri me ndershmëri. Batakçinj pastaj ke sa të duash. Madje me larmishmëri modelesh” – thotë Bejko