Ministria e Brëndshme: Orik Shyti ndër më të kërkuarit nga policia. Fotot e të kërkuarve nga policia.

Aktualitet

Ministria e Brendshme publikon listën e 742 personave në kërkim

NË LISTËN E PUBLIKUAR NGA MINISTRIA E BRENDSHME, REZULTON SE 23 PREJ TË KËRKUARVE JANË FEMRA

LISTA – EMRAT E TË GJITHË PERSONAVE TË SHPALLUR NË KËRKIM, TË CILËT JANË PUBLIKUAR NGA POLICIA, REZULTOJNË TË DËNUAR ME MBI 5 VJET HEQJE LIRIE

MË TË KËRKUARIT – NGA 742 EMRAT E PUBLIKUAR, QË KONSIDEROHEN SI MË TË RREZIKSHËM, 47 PREJ TYRE JANË DËNUAR ME BURGIM TË PËRJETSHËM DHE 101 ME 25 VJET BURG

Drejtësia shqiptare ka në kërkim ndërkombëtar 47 persona të dënuar me burgim të përjetshëm, ndërkohë që 38 prej tyre kanë të paktën një akuzë për vrasje. Shifrat janë publikuar nga Ministria e Brendshme, e cila ka listuar 742 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ku më pak i rrezikshmi është dënuar me 5 vite burg. Gazeta “Shqip” ka arritur të gjejë emrat e 38 personave, të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, të cilët rezultojnë prej vitesh në kërkim ndërkombëtar, por policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tyre, duke i cilësuar si personat me rrezikshmërinë më të lartë shoqërore.

Gjatë një njoftimi zyrtar, Ministria e Brendshme deklaroi dje, se për herë të parë në historinë e vet, Policia e Shtetit ka shënuar një hap themelor, duke ndërtuar një platformë të re komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet publikut dhe Policisë së Shtetit. Sipas MB-së, Policia e Shtetit ka publikuar të dhënat për personat më të rrezikshëm të shpallur në kërkim nga policia dhe organet e drejtësisë. Në një hapësirë të veçantë të faqes së internetit të Policisë së Shtetit, çdo qytetar i interesuar do të mund të gjejë informacion të plotë, përfshirë të dhënat dhe foto, për të gjithë personat e shpallur në kërkim të dënuar nga gjykata me mbi 5 vjet heqje lirie.

Në të njëjtën hapësirë, çdokush mund të gjejë të publikuara edhe kontaktet e Policisë së Shtetit për të njoftuar në rastet kur ka të dhëna për vendndodhjen e personave të kërkuar, duke ruajtur plotësisht konfidencialitetin e qytetarit që do të japë informacione të vlefshme për policinë. “Kjo praktikë e re synon së pari ndërtimin e urave të komunikimit me qytetarët që mund të ndihmojnë policinë për gjetjen e dhe kapjen e secilit prej personave të shpallur në kërkim. Ne jemi të bindur se suksesi i Policisë së Shtetit në përmbushjen e misionit të saj është një sipërmarrje që nuk bëhet dot pa ndihmën aktive të qytetarëve. Por, mbi të gjitha, publikimi i personave më të kërkuar ndihmon në ndërtimin e atyre mekanizmave të imunitetit shoqëror për të parandaluar që këta njerëz të vazhdojnë jetën mes shoqërisë së pashqetësuar, duke shtuar rrezikun për sigurinë e jetës dhe pronës për secilin prej nesh”, deklarohet nga Ministria e Brendshme.

Më tej, thuhet se policia dhe MB-ja janë të interesuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për të stimuluar te qytetarët shpirtin e bashkëpunimit e në mënyrë të veçantë atë të reagimit të përbashkët ndaj së keqes së përbashkët. “Ne synojmë të ndërtojmë sigurinë publike bashkë me qytetarët, duke çmontuar sigurinë e atyre që kanë shkelur ligjin, janë dënuar nga organet e drejtësisë e sot janë ende të lirë”, thuhet në njoftim.

Deri më tani në internet janë hedhur të dhënat për 742 persona në kërkim, që konsiderohen si më të rrezikshëm. Prej tyre, 47 janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe 101 me 25 vjet burgim. Në këtë listë të kërkuarish, 23 janë femra, ndërsa numri më i madh i të kërkuarve është dënuar për veprat penale të vrasjes apo vrasjes së mbetur në tentativë. Këto të dhëna mund të gjenden duke klikuar në adresën në internet të Policisë së Shtetit. “Duke mirëpritur bashkëpunimin e çdo qytetari, që do të ndërtojë paqe dhe siguri në vendin tonë, dëshiroj ta mbyll me falënderimin më të madh për strukturën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, që bëri të mundur realizimin në kohë të këtij instrumenti të rëndësishëm”, tha ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, për këtë shërbim të policisë.

 

Policia 

Publikimi i listës, 312 mijë klikime në pak orë

Publikimi i emrave dhe fotove të personave të dënuar nga drejtësia shqiptare, të cilët rezultojnë të shpallur në kërkim, ka sjellë një fluks klikimesh në faqen zyrtare të policisë, e cila ka qenë tejet e ngarkuar gjatë ditës së djeshme. “Policia e Shtetit u kërkon ndjesë qytetarëve për ngadalësimin e faqes së internetit, për shkak të interesimit të madh të shfaqur lidhur me të dhënat mbi personat e kërkuar të publikuar në faqen e internetit. Nga momenti i publikimit të informacionit për personat e kërkuar në faqen e Policisë së Shtetit në internet janë evidentuar rreth 312 mijë klikime. Ndërkohë, vetëm gjatë orës së fundit, numri i klikimeve nga qytetarët është rreth 110 mijë. Gjatë kësaj kohe janë evidentuar deri në mbi 140 kërkesa në sekondë drejt faqes së Policisë së Shtetit në internet. Duke i falënderuar qytetarët për interesin e treguar, i ftojmë që të informojnë policinë për çdo informacion me vlerë në drejtim të vendndodhjes së këtyre personave”, deklaroi policia.