Aktualitet

Si do ruhen votat, kur vidhen bankat?!

Brenda më pak se dy vitëve, në të njëjtën rrugë QafëKashari-Rinas, ndodh grabitja e katërt e parave të bankave. Rreth mesditës së djeshme në zonën e quajtur Qafa e Kasharit, gjashtë persona të maskuar dhe të armatosur kanë arritur të rrëmbejnë rreth tre milion euro. Shuma e parave transportohej nga dy mjete të cilat duhet të ishin të blinduara , të cilat transportonin paratë e një banke të nivelit të dytë. Deri vonë në mbrëmje, policia nuk ka arritur të zbulojë gjurmët e grabitësve. Ndërkohë janë arrestuar 5 punonjës të kompanisë private, të cilët dyshohet se nuk kanë zbatuar rregullat e sigurisë, ose janë të përfshirë vetë në grabitje.

Në Qafën e Kasharit janë kryer edhe 3 grabitje të tjera të makinave që transportojnë paratë e bankave. Po në këtë rrugë kryesore dhe më të frekuentuar të Tiranës kanë ndodhur disa nga përplasjet me të ashpra me armë të bandave kriminale që qarkullojnë në zonën Tiranë-Durrës-Fushë-Krujë. Po në këtë zonë është dhunuar biznesmeni libanez, Fadi Mitri, i cili u detyrua të tërhiqej nga investimi në Shqipëri. Edhe autorët e sulmit ndaj biznesmenit, si në rastin e vjedhjes së makinave, u larguan nga e njëjta rrugë.

E gjithë skema e djeshme, e cila u filmua nga qytetarët me celularë, ishte identike me vjedhjet e mëparshme të furgonëve të transportit të parave. Pasi kryhet grabitja në Qafën e Kasharit autorët largohen me makinat e tyre drejt Fushë-Prezës dhe djegin mjetet për tu zhdukur me makina të tjera. Ironikisht, djegia e mjeteve bëhet tek zona e quajtur “Rruga e Hajdutëve” në Fushë-Prezë. Policia nuk lëvizi nga pika e Qafë Kasharit ku rrinte postë policie, nuk kishte shoqërim apo ndjekje live nga salla operative me kamera direkt nga makinat dhe mbi të gjitha banka përkatëse nuk kishte plotësuar asnjë kusht për shoqërim të vlerave monetare sipas ligjit. Makinat që transportonin afër tre milionë euro ishin si një furgon që transporton qumësht, ndërkohë që policia duhet të kishte çertifikuar sipas rregullit cilësinë e makinave të shoqërimit të bankave. Makinat e bankës nuk kishin në funksion sistemin GPS, në vend të kasafortave me kod kishin thasë, nuk punonin kamerat, etj.

Në të gjitha rastet policia nuk ka arritur të kap asnjë autor të vetëm, apo të jetë në gjurmët e tyre pas largimit nga vendi i ngjarjes. Deputetja Majlinda Bregu, në një postim në Facebook, e cilëson e Qafën e Kasharit si Grykën e Mezhgorianit. Ironia është e qartë. Gryka e Mezhgornit është një rrugë e gushtë, mes greminës në lumin Vjosë në rrugën Tepelenë-Këlcyrë, ku kaçakët dhe bandat historikisht kryenin vjedhje duke shfrytëzuar terrenin e ashpër dhe ideal për prita. Ndërsa Qafa e Kasharit është një zonë thuajse fushore, pak kilometra larg Tiranës, ku rregullisht ka patrulla policore.  Deputetja Bregu hedh dyshime se si ka mundësi që grabitësit nuk shqetësohen asnjëherë nga policia derisa përfundojnë “punën”. “Edhe sikur Qafa e Kasharit të ishte Gryka e Mezhgoranit dhe jo një rrip rruge me fushëpamje 360 gradë, s’do të kishte qenë kaq e lehtë që brenda pak muajve të vidheshin ditën për diell mbi 15 milionë euro, në makina të bankave duke e kthyer atë copë rruge kombëtare në pikën më të lakmuar, ku as patrulla e policisë kurrë nuk të kap dot në aksion, as nuk të shqetëson njeri deri sa te zhdukesh gjurmët e të djegësh dhe makinat. Kështu bëhet shtetshkaterrimi se shtetformimi ka ikur ne drejtim te paditur,” shkruan Bregu në Facebook për ngjarjen e djeshme.

Kreu i LIBRA dhe deputeti Ben Blushi ka qenë më i drejtpërdrejtë në akuzën e tij kundër institucioneve të rendit për ngjarjet kriminale. “Vjedhjet e bankave janë kthyer në serial. Shteti shikon dhe bashkëpunon, grabitësit ikin dhe e shikojnë policinë në televizor. Ja pse s’ka vende pune, besim dhe investime të huaja. Se nuk ka kush i mbron! Një javë më parë thashë në Kuvend se Republika po bie. Sot kam edhe prova. Thasët e Republikës sonë po vidhen me ndihmën e shtetit”,- shkruan Ben Blushi në Facebook.

Kur vidhet në mes të rrugës më të kontrolluar për në aeroport, në mes të ditës dhe kjo përsëritet katër herë, shton dyshimet dhe frikën se si mund të ruhen votat me 18 qershor. Mbrëmë të pyetur nga “Koha Jonë” në selinë e PS-së dhe në selinë e PD-së se “ si mund të ketë garanci për ruajtjen e votave me 18 qershor kur vidhen katër herë në rrugën e aeroportit bankat e Shqipërisë, ndërsa policia nuk ka gjetur grupin kriminal?”, nga selia rozë ishte “no coment”, kurse selia blu tha prerë se “nuk kemi garanci për tu futur në zgjedhje me këtë bandë qeveritare, ndaj me 18 shkurt do ta rrëzojmë qeverinë e krimit. Nuk futemi në zgjedhje me këtë kryeministër”.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?