Nga Ilir Kadia: “Miu”

Shkrime

“Miu”
Ai doli nga pas kolltukut, kaloi anës murit dhe tek na pa mua dhe time shoqe që kërcyem përpjetë nga pamja e papritur u kthye për t’u fshehur sërish poshtë kolltukut të madh të dhomës që ne e përdorim edhe si dhomë ndenje edhe si studio për mua.
-O zot, na tani edhe një mi në shtëpi. Këtu nuk jetohet më, nuk jetohet, – filloi të ulërasë ime shoqe me lebeti.
Dy halle njëherësh! Miu i madh, i zi, i frikshëm që kushedi sa kohë paska nën kolltukun e studios time. Gruaja, që të shan shtëpinë për të cilën ke harxhuar një jetë pune.
-Mos u shqetëso kaq shumë të lutem. Një mi është thjesht një mi. Në Tajlandë e pe sa shtrenjtë e shisnin kilen e mishit të miut. Në Amerikë i rrisin për qejf. Të lutem qetësohu! Shko në dhomën e gjumit. Kthehem unë e vras në çast.
E përcolla gruan tek dhoma jonë e gjumit ndërsa vetë u ktheva i armatosur me një shkop golfi në dhomën me kolltuqe , televizor dhe një raft të madh librash në faqen e murit të djathtë kur hyn nga dera. “Puna e parë që duhet të bëj, ti zë të gjitha shtigjet nga mund të dalë. Pastaj do ta vras!” Mbylla me shpejtësi dritaren sipër raftit të librave , derën e kisha mbyllur më parë dhe me shkopin e golfit në dorë në pozicion luftarak iu drejtova miut.
– Dil tani po ta mbajti në shesh të burrave mor gjë e keqe. Si guxon të hysh në shtëpinë time dhe të më shqetësosh familjen. Je një burracak i vockël ja ç’je!, – bërtisja unë si duke u tallur në fillim miut që fshihej pas kolltukut të madh. Miu nuk pipëtiu. Unë prita një copë herë.Atëherë desha ta shtrëngoj të dilte. E ngrita kolltukun nga poshtë, nuk ishte shumë i rëndë, dhe fillova ta përplas në dysheme. Shpresova se miu do të shkëputej lehtë dhe unë do ti laja hesapet me një të rënë të shkopit të golfit. Por jo, ai nuk lëshohej. Ishte kapur mesa duket fort me thonjtë e tij në kolltuk dhe s’binte që s’binte. Fillova ta përplas kolltukun në dysheme fort. Kur prisja të dilte miu filluan të binin një nga një pjesët e kolltukut. Në fillim ranë krahët e drunjtë, pastaj sustat dhe në fund me rropamë të gjitha dërrasat që mbajnë pjesën e butë të tij. Në vend të kolltukut mbeti një pirg dërrasash , sustash, copa lëkure. Ç’dreq miu qenka ky, thashë me vete dhe bëra të dal nga dhoma të pi një gotë ujë. Më kish hipur një nxehtësi e madhe nga inati. Se kisha mbyllur derën e dhomës ende kur dëgjoj miun hipur mbi kolltukun e shkatërruar të flasë me zërin ironik të shokut të zyrës.
– Urdhëro, ja ç’na bërë! Tani as ti, as unë me kolltuk mor bythpambuk!
Mua më dhëmbi. Qëkur kisha nisur fshehurazi tij të punoja për të zënë postin e shefit të zyrës ai nuk ishte më i pari. Unë ia dija zotësinë, shkruante më mirë se unë, njihte më shumë njerëz se unë, portat kudo që shkonte i hapeshin më shpejt se mua. Por nuk dinte si unë të shfrytëzonte pikat e dobta të shefave tanë. Ishte gati gjithnjë i rebeluar me ta. Në rastin më të keq i tallte duke krijuar apo përshtatur barcoleta ku shefat ishin në role qesharake. Ai e dinte që gjithë ç’thosh shkonin prej meje në veshin e shefave të stërzmadhuara, por kjo dukej se i jepte kënaqësi. Unë shfrytëzova këtë dobësi të tij. Mora disa herë për dreka dhe darka shefat që vinin nga larg dhe që s’dinin ç’bëhej këtu dhe u fryva në vesh se ai sabaton punën tonë, se mes ne të dyve le të jetë kushdo i parë, por jo ai, në asnjë mënyrë jo ai. Dhe ata më zgjodhën mua. Mirëpo ai gjatë gjithë kësaj kohe s’ka ndenjur rehat. Numrin e shefave që tall e ka shtuar dhe me një emër tjetër, timin. Në vesh më ka ardhur dhe një tjetër ide e çmendur e tij. Po shkruaka, dhe mua dhe shefat e tjerë po na bëka personazhe komike. Nuk e duroj dot më! Do ta vras!
Ngrita shkopin e golfit dhe bëra ti bie miut kokoroç që më rrinte përballë mes mbeturinave të kolltukut. Ai u mënjanua pak dhe shkopi goditi dhe theu një ish krah të tij.
-Qenke i krisur, do të më vrasësh , – tha i habitur miu përpara syve të mi.
– Do të vras, do të vras, – ulërija unë ndërsa godisja pa pushim mbi të. Asnjë goditje se kapi ndërsa ai mundohej të gjente ndonjë shteg të lirë për t’u larguar. Por unë i kisha zënë të gjitha shtigjet. Kisha mbyllur dritaren mbi raftin e librave, përjashta nuk mund të dilte dot, i kisha shkruar letër shefave se ai ishte i pasjellshëm dhe se duhej ta largonim nga puna se po na turpëronte, kisha mbyllur derën nga ai mund të dilte në korridor që andej në ballkon dhe pastaj i lirë, i kisha hequr telefonin celular që ai mos ti tregonte barcoleta me mua miqve të tij. Vazhdoja ta qëlloja me shkopin e golfit miun që fshihej mes librave, por asnjë goditje se kapte. Librat e dëmtuar binin në tokë dhe më pas i gjithë rafti u shkërmoq edhe ai.
Ranë në tokë libra që i kisha marrë në fondacione vitet e fundit, por që si kisha shfletuar as edhe një faqe. Ranë librat e blera për modë jashtë shtetit që desha ti lexoja në pleqëri. Ranë vandaqet me tekstet e kronikave që kisha bërë dhjetë vjet me radhë që e dija se nuk thoshin gjë, por prapë i ruaja me fanatizëm. I zemëruar në kulm unë vazhdoja të godisja derisa një çast ai ulëriti:- Më vrave qen!
E kisha goditur keq. Në fakt jo drejtpërsëdrejti. Një nga goditjet e mia i kishte rënë një nallaneje të trashë që s’di si ndodhej në dhomën time dhe ajo nallanja e kthyer në një lloj rakete nga goditja e shkopit të golfit i kishte rënë atij drejt e në kokë. E pashë që gjaku i rridhte çurg nga koka në fytyrë dhe që s’kish forcë as ta fshinte prej andej.
– Ma more të keqen! Ngordh o mi i poshtër, ngordh tani!- i shfryva unë ndërsa shkova të ftoj gruan të shihte si ja kisha marrë shpirtin Atij.
Por…Befas sa bëra një hap në studio, në sy të gruas, ai m’u hodh drejt në fyt. Me duart e gjakosura më shtrëngonte gurmazin dhe me një zë të ngadaltë, gati si ofshamë më thosh.
– Deshe ti mburreshe gruas se më vrave, e? Se ti je më i zoti se unë dhe se unë shpif kur them se ti je një burracak i vockël që spermon nëpër zyrë me femra të tjera, por gruas i hiqesh esnaf, e ? Se vlera jote është dukja, por brenda je një tyrefyl dhe aq!
Mua po më dilnin sytë kokërdhok. Gruaja s’lëviste. Dëgjonte e shtangur. Ndjeva se po mbytesha fare. Nuk di si gjeta forca dhe ndërsa miu po më përkulte drejt dyshemesë mora nga toka një libër, tani më kujtohet, ishte një fjalor i trashë anglisht- shqip ku unë mbaja fatura fallco dhe e vërtita drejt kokës së përgjakur të tij. Libri e zuri rrëshqanthi dhe më pas i ra xhamit të dritares. Unë ndjeva duart e tij të më lironin fytin. Xhami u thye me rropamë. Miu pa një shteg nga mund të dilte, kërceu në boshllëk dhe…
Miq, kur doni të vrisni një mi, qoftë edhe në shtëpinë tuaj , mos ia mbyllni të gjitha shtigjet.