Feti Zeneli: Poezi

Poezi

SHKRIRJA E SHKURTIT

Muaji i fundit i dimrit rend nëpër male,
Të zgjojë retë e borës që ende s’ka rënë,
Vrapi i këtij shkurtabiqi atje do ndalet,
Në krahët e një ere pa diell e pa hënë.

Fushat janë pasqyra të thyera nga shiu,
Pemët dhe bimët thurin ëndërra të gjelbërta,
Zogjtë kompozojnë mbi pentagrame veriu,
Lumenjtë çojnë në det ujëra të tepërta.

Retë nuk fshehin më aq shumë dritë në qiell,
Mëngjezet dhe muzgjet po rriten dalëngadalë,
Kur kuajt e orëve do ngarkohen me diell,
Besoj se edhe shkurti do ketë shkrirë në mal.

TI MOJ STINE MAGJI

Po vjen vjeshta shtegëtare,
Si një ëndërr e florinjtë,
Që lart hëna lozonjare,
Nëpër gjethe ndez qirinjtë.

Erdhi të na ngjyros fjalët,
Para se t’ja themi tjetrit,
Ç’qe e hirt’ e morën valët,
Ç’qe e zbehtë – më të vjetrit…

Ç’gjen përpara zë prarohet,
Ndrin gjithëçka që lë nga pas,
Vetëm deti zemërohet,
Dallgët bregut ja përplas.

Pastaj i kthen shpinën detit,
Që ngjyrimet mos t’ja shplajë
Larg rrëmujës dhe rrëmetit,
Nëpër zemra t’i shpërndajë.

Se shpirtrat s’bëhen të artë,
Po nuk u vjeshtuan disi,
Afrohu t’i puthim duartë,
Ti moj stinë që bën magji…

 

PERVJETORI BABAIT

Lotët e mi s’kanë për të reshtur,
Aq kohë sa sytë do kenë shpirt,
Ç’thotë shtëpiza jote e heshtur,
Nën atë copë mermer të hirt?

Shpresoj se je me fqinjë të mirë,
Ashtu siç di t’i zgjedh veç Zoti,
Po unë do kisha shumë dëshirë,
Të zgjoheshe pas ca pikash loti.

Kur çdo një shkurt unë aty vi,
Përulem si një shelg mbi lumë,
Por të puth vetëm si fotografi,
Pres ëndrrën që të rrimë më shumë.

Jo pak të ka marrë malli dhe ty,
E ndjej që prej mallit do jesh tretur,
Po, pse kur ike nuk ma le një sy,
Ç’të duheshin të dy për të fjetur?

Asgjë s’na ndan veç një copë kohë,
Dhe pse dy botëve u përkasim,
Ç’rëndësi ka, që s’më sheh a s’të shoh,
Një ditë nga afër do të flasim…

Ky copë mermer nën lotët vënë,
Ndanë dy botë, ku njëra fle,
Qëndrojnë përkrah si bir e nënë,
Si mund të na ndaj një metër me dhė?!