Stefi Prifti pyetet për të shoqen: “Ndihem i çorientuar.

Stil/Jetë

Ditën e sotme në programin e Rudina Magjistarit ishte i ftuar këngëtari Stefi Prifti.

Ai bisedoi gjatë me prezantuesen për punën e tij, familjen, vajzat dhe planet për më vonë. Në vazhdën e këtij rrëfimi, Magjistari kërkoi edhe që Prifti të fliste për ndarjen nga jeta të gruas së tij Marina.

Regjia shfaqi një video e xhiruar rreth tri vite më parë në të njëjtin program, ku Stefi dhe e shoqja rrëfenin historinë e tyre të dashurisë. Sigurisht që u krijua një moment shumë prekës, por as kjo atmosferë e planifikuar me kujdes nuk bëri që këngëtari të hapte zemrën.

Ai refuzoi me edukatë të fliste për dhimbjen e tij, pavarësisht këmbënguljes së Rudinës.“Ndihem i çorientuar. Edhe vajza ndaj nuk del në studio televizive sepse ndjen të njëjtën peshë dhe ngarkesë.

Njeriu duhet t’i përballojë vetë këto ngjarje tragjike. Unë dhe vajzat e mia po përpiqemi ta përballojmë këtë situatë sipas mundësive tona. Nuk jam personi që vij në studio televizive dhe flas për problemet e mia personale. Kur të ketë Marina ditëlindjen në prill, unë dhe vajza do i dedikojmë një këngë.

Atëherë mund të vijmë t’iu këndojmë në studio. Për gjendjen time nuk dua të flas. E kuptoj pjesën mediatike dhe njerëzore dhe dëshirën tuaj personale. Por unë kam folur me vepra, nga koha që ndodhi kam tre krijime të reja”, tha ndër të tjera Prifti./revistawho.com/