Nga Enver Bytyçi: Gozhda e Ramstradinit në Murin e Mitrovicës!

Shkrime

Kryeministri Rama dje u kthye nga Prishtina. Iku prej Tirane me qëllim që të mos ishte i pranishëm në furtunën e saj të pardjeshme, kur plasi konfliktit Lu-Llalla dhe u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Po edhe se iku, aty ku shkoi kreu një mision. Misioni i Ramës ishte i disafishtë: Të tallej në studion e Baton Haxhisë me Hashim Thaçin dhe shqiptarët e Kosovës. Të hiqej si patriot i madh në momëntin kur ngjarjet nuk u zhvilluan sipas skenarit të bashkërenduar me Vuçiçin dhe të promovuar përmes Rexhepit të Qosjes, pasiqë provokimet e Beogradit për të shtënë në dorë veriun dështuan. Dhe, të kujdesej që autoritetet e Prishtinës të mos “ia merrnin fytyrën” kolegut e mikut të tij, Aleksandër Vuçiç.
Ky misioni i fundit nuk lidhet vetëm më intervistën te Batoni, ku kryeministri ynë dha mesazhin se Sandri i Beogradit nuk shkon më te selia e partisë radikale, së cilës i përkiste, pasi që ai “ka ndryshuar”, “është reformuar” dhe si i tillë duhet respektuar. Ky misioni i fundit lidhet edhe me atë që Rama la pas. Krerët e institucioneve me ndërmjetësim të SHBA-së she BE-së nënshkruan një marrëveshje për të ashtuquajturin “Muri I Mitrovicës”. Rama foli për këtë mur më shumë se një muaji pasi ai u ngrit, pikërisht në studion e Batonit. E gjithashtu vetëm pasi homologu i tij serb lajmëroi nga Rashka dështimin e tij në projektin e ndarjes së Kosovës” për shkak të presionit të SHBA-së dhe BE-së.
Këtë moment të vështrë të mikut të tij në Beograd Rama deshi ta zbusë, ta kthejë në një fitore në luftën e brendshme politike në Serbi, gjithnjë në favor të Vuçiç. Sapo zoti Rama ktheu shpinën nga Prishtina aty filluan bisedimet për Murin e Mitrovicës, të cilat përfundyan në mëngjesin e hershëm të ditës së sotme me një marrëveshje. Ende nuk është publikuar se çfarë përmban kjo marrëveshje. Në Beograd duken të kënaqur me të. Thuhet se është vendosur për rivitalizimin e urës dhe rrugës së këmbësorëve, çka do të thotë ndonjë modifikim i murit në këtë funksion dhe jo prishja e tij. A shkoi Rama në Prishtinë që ta bindë Hashim Thaçin për një kompromis të tillë me palën serbe?! Të gjitha shenjat e sjelljet e kryeministrit shqiptar në raport me mikun e tij në Beograd të çojnë në përfundimin se zoti Rama pati si mision të fshehtë “nguljen e gozhgës së Nastradinit” në murin e Mitrovicës. Ai kreu dhe kësaj here në Prishtinë misionin e ndërmjetësuesit midis Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçit.
Goshta e Nastradinit e ka emrin “Rivitalizim”, dmth përshtatje, mos heqje e murit, arrnimi i tij, që të duket si shtetitore, por jo si mur. Me standardin e Ramës kjo do të thotë një pamje virtuale, e cila u serviret shqiptarëve si mashtrim kundrejt një realiteti faktik, në të cilin muri është pjesë e skemës dhe do të shërbejë si simboli i ndarjes. Gozhda mbetet ende aty, kriza nuk zgjidhet. Nëse një ditë Vuçiç do të gjendet në sfidë, për ta përballuar atë do ta përdorë përsëri murin e “rivitalizuar”. Ndërkombëtarët kanë rënë dakord, sepse për momentin u duhet qetësia e stabiliteti. Më vonë, të shohin e të bëjnë.
Edhe atëherë kur duket se gjithçka ka dështuar, kryeministri ynë nuk tërhiqet në projeksionet e tij prej shkatërruesi. Dhe për ta mbuluar qëllimin e misionit të tij në publik shpalli se “Asnjë centimetër territor nuk lejojmë t’i shkëputet Kosovës”. I bindur se njerëzit ia vlerësojnë llafet e retotikën dhe jo veprat, ai ka ditur gjithnjë të maskojë aktet konkrete të shkatërrimit të shtetësisë së Kosovës. Këtë bëri dhe gjatë të enjtes e të premtes së kaluar në Prishtinë. Ta shohim se sa ka ndikuar këshilla e tij për Hashim Thaçin dhe sa e zgjidh krizën marrëveshja e nënshkruar në orën 02.30 minuta të mëngjesit të ditës së sotme! Vetëm se një gjë është e qartë: Kudo që kryeministri ynë ve këmbën, brenda ose jashtë Shqipërisë, do të vendosë një kallëp tritol në dëm të interesave të shqiptarëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *