Në Shqipëri Donald Lu është President dhe Donald Trump ambasador. Apo e kemi gabim?!

Shkrime

Një situatë absurde po zhvillohet me intesitet në disa segmente të rëndësishme të ambientit mediatik dhe politik në vendin tonë, menjëherë pas fitores së “papritur” të Donald Trump si presidentit i 45-të i SHBA-së. Gati të gjitha mediat e kontrolluara nga Edi Rama, menjëherë pas zgjedhjes së Presidentit për të cilin kishin vënë bast se nuk kishte asnjë shans të fitonte nisën një fushatë denigruese kundër tij. Fillimisht u duk se e gjitha kjo maskaradë ishte pasojë e  hidhërimit dhe zhgënjimit për humbjen e Hilari Klintonit, që kishte  si “kumbarë“ kumbarin e tyre, Xhorxh Sorosin. Por koha tregoi dhe po vërteton çdo ditë në vazhdim, që bëhet fjalë për një strategji të mirë organizuar.

Është e vërtetë që pështyma e mizave periferike të një vendi të mbaruar në cep të Europës, as që kanë shans të mbërrijnë deri te mamuthi përtej oqeanit, por ama këtu brenda po ndyjnë sa të mundin pro amerikanizmin e popullit shqiptarë. Që të jemi të qartë Donald Trump u zgjodh nga populli amerikan dhe që atë ditë që u u betua para tij, ai është vetë Amerika. Dhe kjo është kështu dhe pikë, jo për vetëm për ne. Por këtu po ndodh (më saktë po instrumentalizohet) një fenomen sa qesharak, aq edhe i rrezikshëm. Ajo palë që në çdo edicion lajmesh dhe studio televizive hedh baltë mbi figurën e Trump është edhe dashnorja dhe mbrojtësja e madhe e ambasadorit të tij në Tiranë, Donald Lu.

Janë të njëjtët që sa herë lëshon ndonjë “bombë” ky i fundit dhe kur ata zëra të paktë kritik i thonë, që e ke tepruar sepse nuk je guvernator i vendit por ambasador, të lëshohen dhe të kujtojnë se ai përfaqëson vetë Presidentin e SHBA-së, prandaj bëj kujdes. Pra Donald Lu-në nuk duhet ta kritikosh, sepse tak-fak etiketohesh antiamerikan. Por ama nga ana tjetër Ylli Rakipi, Blendi Fevziu (të mos flasim për lajmet e Sokol Ballës) bëjnë emisione të tëra ku merren me presidentin Trump, për çfarë po bën me politikat brenda vendit dhe ato globale. Nuk i zë gjumi për “fatin” e muslimanëve amerikanë. Dhe nëse dikush u thotë, që kini kujdes se po e teproni, të thonë pa një pa dy, se kanë hallin e amerikanëve dhe të muslimanëve që po i ndalon të futen në SHBA (në fakt nga ata 7-të të parët që ju revokua viza pas dekretit, 3 ishin të krishterë).

Vini re çfarë standardi të dyfishtë përdorin, pa ju dridhur qerpiku; Nëse kritikon ambasadorin Lu je antiamerikan, nëse kritikon Presidentin Trump ke hallin e Amerikës dhe je pro amerikan!! Sipas kësaj “logjike”, Lu që është një majë lapsi në stafin e Trump na përfaqëson vetë Amerikën, pra është President dhe jo ambasador, për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të dy vendeve.

Në fakt duhet të ndodhte e kundërta. Debati dhe shqetësimi i vërtetë që duhej trajtuar në Shqipëri pas zgjedhjes së Donald Trump si President nga populli amerikan, duhet të ishte ai në dritën e deklaratave të kryeministrit tone, që e ka quajtur “rrezik për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”. Rama ka thënë edhe që ai është turp për mbarë civilizimin dhe rrezik për vetë Amerikën, por emisionet e Rakipit dhe Fevziut bashkë me lajmet e Ballës, edhe pse janë “gjigante”, nuk besojmë se mund të arrijnë që këtë zbulim të Ramës, ta përçojnë deri te populli amerikan dhe vendet e tjera që përfaqësojnë civilizimin mbarëbotëror.

Çështja është shumë e thjeshtë; Kemi ende në detyrë një kryeministër që është përzierë dhe është përdorur keq, gjatë fushatës në SHBA kundër Presidentit që ka sot Amerika. Dhe jo vetëm kaq. Ai jo vetëm që nuk denjon që të dërgojë një urim në emër të qeverisë që drejton me votat që morri nga ky “popull pro amerikan”, por as nuk po kërkon ndjesë, për atë që ka bërë.

Si përfundim mund të themi se ky realitet mediatik i frymëzuar nga Edi Rama na ka vendosur në mes të një situate, që është pak ta quash groteske; po krijohet ideja që Donald Lu është Presidenti i duhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kurse Donald Trump ambasadori i keq i Shqipërisë në Washington, i cili po shkatërron marrëdhëniet mes dy vendeve dhe po na turpëron civilizimin! /Syri.net/