Elida Rusta. Poezi

Poezi

Ka ma ra shi.

Ka me rá shi atë ditë që do vdes,
përcjellësit do shpejtojnë të më mbulojnë.

Shpirti ka me ngá me marrë qiellin,
me m’ruejt me dashni asobote.

Do hutohet mbas vetëtimave,
e do digjet prapë nga rrufeja jote!!

Harrese!

Harrove të më sjellësh fytyrën,
të të llastoj pa zë,
me dëshirat e mia.
Rruga drejt flakës
do ish më e shkurtër!!!

 

Zbrazti.

U afrue prap te kryqi,
u përgjunj
mbi qënien e vet trupore e shpirtnore.

I tejnalti Zot!
Mos m’the gjymtyrësh
pa e mbrri dritën
me ua vu t’verbënve në zemër!

Ti,hir i Shpirtit t’Shejtë,
i parëlindun nën këtë kupë qielli,
ndrroma dënimin!

Mos i lén dëshirat me m’qorrue
e brengat me m’kërrus!

Ka kohë që pres me mbushë honin e shpirtit,
me m’kthye lirinë
qi kam mbrendë vetes!

 

S’hupi ma n’ty.

Jam tu provu
me forcë prej grueje,
me i dhanë jetës jetë.

S’vritem má n’sedër,
kam nji kalë mend.

I mbledh fmitë,
shpinë e vetminë.

S’hupi ma n’ty,
nuk shndrrohem në eshtna për ty.

S’mundet kush me m’lanë pa zemër,
as me m’vra tue m’thanë TË DU.

Tash jam paqe,
rrugë.

Má,as era s’më vjen njisoj!!!

 

Ti s’mundesh.

Ti s’mundesh me ma ndalë lirinë
me qesh sa t’më dhambin shpirti.

E mbrrij fundin edhe pa ndihmën tande,
vdekjen nuk e shpikëm unë e ti.

As m’ke vra,as m’ke ba t’dobët,
tash as andrrat
nuk t’i kallzoj ma!