Artur Zheji: Dy fjalë për Pëllumb Kullën

0

E lexova shkrimin tuaj dhe parodizimin që më bëje, sidoqoftë me elegancë dhe me rregulla dhe kode, ndonëse me pikëpamje krejt të ndryshme.

Porse, si shkrimtar që je, e kishe çuar metaforën në skajin më të skajshëm, duke deformuar, me ose pa dashje, krejt thelbin e shkrimit tim për Agollin.

Unë nuk di ndonjë poet apo shkrimtar në botë, që të varroset me ceremoni shtetërore, përveçse në Kinë ose në Korenë e Veriut ndoshta…

Shteti dhe poeti, janë gjithmonë “në sherr” me njeri tjetrin. Mirëpo kur shteti dhe qeveria, të bën një ceremoni të tillë, dëshmon një qëndrim politik dhe jo një ngushëllim njerëzor, për “poetin e ëmbël”, që nuk mund të jetë i ëmbël edhe për shtetin, edhe për lexuesin njëherësh.

Nuk kisha për qëllim të prek as ndjenjën e adhurimit tënd dhe as adhurimet letrare të të tjerëve, por të denoncoja faktin se sot që flasim, teorikisht jemi një sistem që refuzon diktaturën dhe respekton lirinë e mendimit dhe bërja njësh e shtetit, me ish kryetarin e ish Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ngre pikëpyetje për të sotmen e Shqipërisë. Sepse tendenca për të shtypur mendimin e lirë dhe për të revizionuar dhe harruar diktaturën, është moda më e re e qeverisjes sonë të sotme. Dhe kjo më shqetëson si opinionist, sepse prek të sotmen dhe të nesërmen e fëmijëve të mi që jetojnë në Shqipëri dhe jo në Amerikë. Amerikanët nuk e prekin Kushtetutën e tyre prej të paktën 200 vitesh, kurse në Shqipëri, kemi një Kushtetutë të prekur, në çdo 7 apo 8 vjet.

Dhe ky fakt, zoti Kulla, është një hall i madh kombëtar.

Është tepër e shtyrë në krahasimin tënd, që unë po kërkoja llogari ndaaj Agollit të ndjerë, si Themije Thomait, që është në të vërtetë një grua e qetë dhe e urtë, apo po shkroja qiqra në hell, duke kërkuar nga Agolli i ndjerë, që të mos ishte Agolli që ishte dje. Mua më shqetëson shteti që kërkon simbole dhe ndërton simbolika që përputhen me stigma të Diktaturës apo post diktaturës komuniste.

Nëse ishte apo nëse është dhe do të jetë Agolli një poet, i mirë apo i madh, këtë nuk duhet ta vendosë shteti, por lexuesi. Sepse ka ikur koha që shteti paravendoste çfarë duhet të lexonim dhe se çfarë jo. Se kush është poet i mirë dhe se kush është poet reaksionar.

Ndërhyrja e shtetit në punë të poezisë, të artit dhe të kulturës, si një mësonjës që vendos nota kaluese ose ngelëse, është një turp kombëtar shqiptar dhe prandaj artistët shqiptarë, marrin aratinë nëpër botë dhe prandaj nuk ka shumë art, sot në Shqipëri.

Largohen nga Shqipëria si ngelës nga notat e korruptuara apo politike të shtetit, mirëpo ka nga ata që shkëlqejnë skenave të Botës, për talentin e tyre të madh!

Kjo është Çështja dhe rrofsh që më ndihmove me atë zeher të sojmë që kishe në shkrimin tënd, që ta shkoqitja edhe më mirë qëllimin. Por kjo ndodhi, sepse hipokrizia e kryeministrit tim, artist në të kaluarën dhe në të sotmen, më shqetëson për sistemin e rremë të vlerave me prapavijë politike, që shtyhen artificialisht drejt sipërfaqes ku edhe dështojnë, në vendin tonë.

Dhe sëfundi, alegoritë humoristike me gomerë dhe kuaj, apo kafshë të ndryshme, janë që në kohën e lashtë të Ezopit, të përkthyera dhe të përshtatura shumë herë dhe nuk më përkasin dot më mua në të sotmen që jetojmë.

Nejse, zoti Kulla, shëndet e të mira dhe të fala kujt të duash.

Në të kaluarën, paroditë e tua dhe komeditë që ngjizje në Fier apo edhe të tjera, i kemi ndjekur me simpati, paçka se sot, jam i përshkruar prej jush, si më antipatiku i personazheve.

Gjëra që ndodhin, rëndësi ka që ju të jeni mirë…

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author