Poezi nga, Feti Zeneli

Poezi

Përvjetori i babait*

Lotët e mi s’kanë për të reshtur,
Aq kohë sa sytë do kenë shpirt,
Ç’thotë shtëpiza jote e heshtur,
Nën atë copë mermer të hirt?

Shpresoj se je me fqinjë të mirë,
Ashtu siç di t’i zgjedh veç Zoti,
Po unë do kisha shumë dëshirë,
Të zgjoheshe pas ca pikash loti.

Kur çdo një shkurt unë aty vi,
Përulem si një shelg mbi lumë,
Por të puth vetëm si fotografi,
Pres ëndrrën që të rrimë më shumë.

Jo pak të ka marrë malli dhe ty,
E ndjej që prej mallit do jesh tretur,
Po, pse kur ike nuk ma le një sy,
Ç’të duheshin të dy për të fjetur?

Asgjë s’na ndan veç një copë kohë,
Dhe pse dy botëve u përkasim,
Ç’rëndësi ka, që s’më sheh a s’të shoh,
Një ditë nga afër do të flasim…

Ky copë mermer nën lotët vënë,
Ndanë dy botë, ku njëra fle,
Qëndrojnë përkrah si bir e nënë,
Si mund të na ndaj një metër me dhė?!
_______________________________
*U nda nga jeta më 1 shkurt 2013

 

Për ata që vijnë pas*

Avioni i ëndërrave ka zbritur në tokë,
Por kujtimet kanë mbetur në qiell si retë,
Atje më duket se kam lënë dhe ca flokë,
Që nuk do më duhen për moshën e tretë.

Vitet m’i lanë shumë dëshira pa çelur,
Ndonëse ju fala pranvera pa masë,
Mbase lutjet që një nga një i kam mbledhur,
Bëhen pranverë për ata që vijnë pas!…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *