Poezi nga, Agron Tufa.

Poezi

SI NJË PLLAKË GRAMAFONI…

si një pllakë e ngrënë gramafoni,
shurdhuar prej fërkimit me kohën;
e pandjeshme ndaj goditjes së gjilpërës –
sillet i patingull ky disk
me heshtjen e hemisferave;
me muzikë të shterrun në shqisa
dhe kujtesë që këmben kuadret
si një film pa zë, bardhë e zi –
kalë qymyri,
hije mesnate –
kalëron hapësirat e vdekura hënore
pa këngë gjaku në kurm –
aníje e heshtur pirate
ngarkuar me fantazma patetike.

dashuria kaloi pa fshikur as rroben…

ndër të vdekurit tanë,
i gjalli përjeton e s’pipëtin.

(Nga “Fragmentet e Gjësë”, Prishtinë, 2012)

 

 

TREGJET E LOTËVE

(në 100 vjetorin e Luftës së Dibrës)

Agron Tufa

Tregjet e lotëve të rinj janë të lehtë…
Nuk e kanë duhmën e shkrumbit,
shijen e athët të gjakut
dhe rrëshirën e zezë të zërit
në tel të sharkisë.

Tregjet e rinj të lotëve
janë spërdredhka bimësh kacavjerrëse
që pleksin kavon e trashë të fatit –
dhe, me ledhe lojacake puhizash
gjethesh e vrigujsh, lëndohen,
bien përtokë prej të parit thëllim.

Por nga gjëmat e moteve ata nuk duan t’ia dinë,
as për zhaurimën mortore të kobit,
as për litarët e groposur të gjakut,
as për Vertebrën e dërrmuar të fisit
që duket e zhduket në skeletin e kalldrëmit të vjetër
në dherat e këtij qyteti të djegur…

Çfarë peshe, çfarë shkaku rëndon
që ne s’duam t’ia dimë
dhe s’qenkemi në gjendje ta mbajmë?
Pse përdridhemi me një sofizëm fluturak
dhe sajojmë alibi në mungesë të mastarit?

Tregjet e lotëve të rinj
mund të ishin, megjithatë,
një troll i sigurt
për peshën e vërtetë
të humbjeve dhe mungesave.
Kemi harruar, ajme,
të qajmë me lotë të vjetër…

(Dibër e Madhe, 29 shtator 2013)

[Poezia fituese ne Manifestimin Kombëtar të Kulturës “Flaka e Janarit” 2017 në Gjilan, e nderuar me Çmimin “PENA E FLAKËS”]

 

TINGËLLIMË
Kur shirat shkrehen shtrazë-shtrazë
e rrahin rrahet me rrëshekë,
me kërp e kulpra e këlkazë
bredh barit burri breg më breg.

Baret bariu buzë burimi –
surb shirat surbull me rrebesh,
vërvit vetimë asi vështrimi
shpërpush e shprish shirat përshesh.

Përpiqen plym pikat në parzmë
dhe burri barit shtang vetiu:
e merr bariu për fantazmë:
shajni i del atij bariu…

Tek për një timtë të vetëtimtë
koha këmben kambanë të grymtë.

2004