Nga: Mariela Stefanllari. Kam lexuar se…

Analize

Gjeniu’ dëgjova të thuhet për poetin a shkrimtarin Agolli, në lamtumirën që i jepnin dje, komunistë, artistë, shkrimtarë, farisenj e saducenj nga pushteti, të tjerë të ashtuquajtur “të përzgjedhur”, pak nga populli. ‘Gjeniu’ kështu e cilësuan. Gjeniu?!!!

Kam lexuar se:
Gjeniu është individi që 1 përqind e ka inspirim dhe 99 përqind e ka perceptim, do të thoshte Tomas Edison.
Gjení cilësohet njeriu që mbart virtyte mentale dhe morale të nivelit më të lartë shumë larg nga njerëzit normalë.
Dikush, nga panteoni i të shquarve britanikë të letrave, gjeniun e konsideron njeri pa padron.

Si mund të jetë gjení poeti që i thurrte elegji diktatorit më të egër të kohëve…?!!!
Si mund të quhet gjeni dikush që në radhët e PPSH hartonte politika diktature…?!!!
Si mund të quhet gjení një njeri i kompromisit…?!!!
Si mund të quhet gjení ky i gjunjëzuar tek padroni?
Si mund të quhet gjení një i rreshtuar në armatën e atyre që vranë, prangosën, burgosën dhe internuan mendjet më të mira të kombit?!!!
Një fjalërimues i destinuar të thurrte lavde për komunizimin, diktatorin, komisarin dhe për çdo hajvan tjetër të sistemit…
Nuk e kuptoni? Gjenitë e diktaturave janë vetëm ata të cilët diktatura i rreshk, mbyt, than, zhduk, izolon, masakron, por që nuk i ndryshon dot, ata mbeten “të pandreqshëm”, për të merituar nga ne cilësimin ‘gjení’…
Gjeniu poet është Lasgushi, që vdiq në vitin 1987 dhe na dukej sikur kish vdekur para Luftës së Dytë Botërore…, sepse nuk i lëpihu me vargje, as nuk thurri bejte për injorantët kriminelë që kishin zaptuar pushtetin, as pranoi të kishte padron, pranoi të jetonte si i varfër, si i izoluar dhe mospërfillës ndaj këtyre llojeve…

Ky poet është ateisti, që nuk dimë si ta përcjellim në jetën tjetër, me shprehjet e popullit të mençur, që mbështeten tek besimi në Zot…
Nuk i themi dot “ndjesëpasti”, sepse ndjesën e jep Perëndia… Por as “i përjetshëm kujtimi” nuk i themi dot, sepse vetëm populli i mençur i besimit në Perëndiflet për jetë të përjetshme…
Kthehemi tek shprehjet ‘kazmë” të diktaturës: “i paharruar në mendjet dhe zemra tona”… “Ai jeton me ne dhe brezat që vijnë”… Të gjitha këto me afat skadence…

Ndërroi jetë një poet i sistemit komunist, vegël e partisë dhe realizmit socialist, që shkroi edhe vargje të bukura, teksa partia dhe diktatori i dhanë kohë pafund që ai vetëm të shkruajë ndonjë varg, sepse popujt kanë nevojë edhe për ca poetë, diktaturat gjithashtu.

Fotografia e Mariela Stefanllari
Fotografia e Mariela Stefanllari
Fotografia e Mariela Stefanllari

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *