Meta-Ramës: Tërhiq projektligjet, që prej 2 vitesh Komisionet nuk ti kalojnë

Kategoria

Kreu i Kuvendit Ilir Meta i kërkon qeverisë që të tërheqë të gjitha projektligjet e sjella në Kuvend, të cilat nuk janë shqyrtuar prej dy vjetësh nga komisionet parlamentare.

Sipas Metës, janë 14 projektligje që i janë propozuar Kuvendit që prej vitit 2015-të për të cilat i ka dërguar shkresa Këshillit të Ministrave dhe Ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj.

Këtë shqetësim kryeparlamentari Meta e ka shtruar për diskutim në mbledhjen e 16 janarit me kryetarët e komisioneve dhe grupeve parlamentare, raporton “Koha Jonë”.

Nga procesverbali i zbardhur i mbledhjes mësohet se, Meta është shprehur se pavarësisht kësaj thirrjeje të vazhdueshme, në program dhe në çdo kalendar 3- javor, prej mëse 2 sesionesh parlamentare vijojnë të mbeten për votim këto projektligje.

“Në Programin e Punës dhe Kalendarin 3 javor janë përfshirë të gjitha nismat e depozituara nga Këshilli i Ministrave si dhe nisma nga deputetë. Mjaft prej tyre janë projektligje që kanë qenë në programet e punës edhe në sesionet e kaluara, por nuk është bërë e mundur që ato të shqyrtohen e të përfundojë puna në komisionet parlamentare për arsye të ndryshme. Disa problematika për programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit janë se: në programin e punës, për projektligjet me nr. Rendor 3, 10, 16 dhe 24, kemi komunikuar me ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Këshillin e Ministrave dhe Ministritë, me qëllim që për shqetësimet që kanë ngritur herë pas here kryetarët e komisioneve në mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve të mund të gjejmë zgjidhje për të vijuar më tej, që këto projektligje të mos vijojnë të shtyhen e mbarten nga kalendari në kalendar. Sjell në vëmendjen tuaj se programi përmban ende nisma deputetësh, që edhe pse i kam dërguar shkresë për t’i tërhequr, sërish ato nisma vijojnë të mbeten në program. Nga viti 2015 janë në program ende 14 projektligje të pashqyrtuara. Në program dhe në çdo kalendar 3 -javor, prej mëse 2 sesionesh parlamentare vijojnë të mbeten për votim 2 nisma deputetësh, për të cilat deputetët nismëtarë dhe grupet parlamentare duhet të rivlerësojnë edhe një herë qëndrimet, me qëllim që ato projektligje ose të votohen, ose të tërhiqen”, është shprehur kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Duke iu përgjigjur këtij shqetësimi, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, e cila teksa ka pranuar problematikën, është shprehur se numri i projekteve që mbeten të mbartura, të paraqitura nga Këshilli i Ministrave është disa fish më i vogël sesa numri i projekteve që janë paraqitur si nisma deputetësh.

“Është e vërtetë që ne kemi komunikuar me shërbimet e Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me problematikën e disa projektligjeve që diskutimi i tyre në komisionet parlamentare nuk ka ecur. Në përgjegjësinë time kam vënë në dijeni të gjithë ministrat përgjegjës dhe shumë shpejt do komunikojmë. Numri i projekteve që mbeten të mbartura, të paraqitura nga Këshilli i Ministrave është disa fish më i vogël sesa numri i projekteve që janë paraqitur si nisma deputetësh, nga një verifikim që i kemi bërë edhe kalendarit edhe programit”, është shprehur ministrja Ermonela Felaj, e cila nuk dha një zgjidhje përfundimtare për këtë çështje.

 

Marrë nga: syri.net