Historia shqiptare e Xhorxh Sorosit

Aktualitet

Vizitat e Xhorxh Soros kanë qenë të rralla në Shqipëri, ndaj detajet më të vogla janë parë me vëmendje nga gazetarët, si tregues i marrëdhënieve me njërin apo tjetrin kah në politikë. Nga një shkrim i botuar në Revistën ABC në vitin 2005, bie në sy distanca mes filantropit dhe Berishës, i sapozgjedhur kryeministër dhe respekti që tregon Edi Rama me dhurimin e Çelësit të qytetit. “Sorosianët” është një term që po përdoret gjerësisht në politikën e ditës në Tiranë, sidomos pas miratimit të reformës në drejtësi. Më poshtë shkrimi i plotë i vitit 2005, i botuar me titullin origjinal:

“Të pathënat e vizitës së Xhorxh Soros”

“Atëhere… nëse doni mjedis të virgjër, duhet të rrini pa drita”, tha Xhorxh Soros. Qartësia e anglishtes dhe qetësia e shprehjes me të cilën 75-vjeçari gërmëzoi fjalën e fundit, mbolli qetësinë në sallë. Gjithë të pranishmit, nja 50 të rinj që e konsideronin veten me fat qe merrnin pjesë në një bisedë të drejtpërdrejtë me të, po e shijonin takimin e moderuar nga drejtuesi i Mjaft, Erion Veliaj. Financieri, ndoshta më i pasur i globit, gjeti kohë të bisedojë për mbi dy orë me ca të rinj të OJF-ve në një cep të Ballkanit, i cili për më tepër, po përjetonte një mungesë të theksuar të energjisë elektrike. Soros iu përgjigj pa dorashka pyetjes se sa mund ta dëmtojë florën shqiptare, një termocentral në bregdet. “Ju duhet të zgjidhni midis virgjërisë së mjedisit dhe dritave. Në të gjithë botën ndërtohen termocentrale, s’ka pse mos të ndërtohen edhe këtu”, argumentoi ai.

Gjatë qëndrimi në Shqipëri, financieri me origjinë hungareze foli gjerë e gjatë për dritat, korrupsionin dhe luftën në Irak. Formalisht, vizita e tij kishte një qëllim, të merrte “ok”-in e e qeverisë shqiptare për mbështetjen e nismës rajonale “Dekada e romëve”.

Para takimit “tet a tet’” me kryeministrin Berisha ai u tha të tijve: Nuk dua kamera, as gazetarë. Nuk dua që ai ta përdorë imazhin tim për të përmirësuar imazhin e tij.

Në fakt, Xhorxh Soros nuk i kishte harruar akuzat e qeverisjes demokratike në vitin famëkeq ’97 për implikim të fondacionit të tij, në trazirat që sollën rotacionin e pushtetit. Biseda Soros-Berisha ishte e ftohtë dhe nuk zgjati më shumë se 35 minuta. Disa fjalë për votën plebishitare të 3 korrikut, afera të presupozuara të Fatos Nano dhe në fund një këshillë: lufta ndaj korrupsionit, nuk bëhet duke shkelur ligjin! Kaq. Ndoshta Berisha do ta ketë pasur po aq të vështirë t’i shtrëngojë dorën ish-armikut të tij, sa ç’e pati kur priti në zyrë dy vite më parë, Nikolas Gaxojanis.

Gjatë vizitës në bashkinë e kryeqytetit, Sorosi nuk iu fsheh kamerave, përkundrazi. Me shumë kenaqësi ai dha buzëqeshje kortezie për blicët e aparateve tek merrte “çelësin” e përhershëm që Edi Rama u rezervon VIP-ëve që takon.