Elia Zaharia Zogu: Ky vit do të më mbetet i paharruar për mua.

Filloi me një dashuri të madhe profesionale në shfaqen “Tri Motrat”, ku roli i Irinës më dha një tjetër dimension si aktore. Më pas udhëtova drejt qytetit të zemrës, Parisit tim të shtrenjtë. U cmalla disi me miqtë e mi, me rrugët e atij qyteti, urat e mrekullueshme, muzetë dhe ajrin e tij…Në kthim filluan menjëherë përgatitjet për ditën më të rëndësishme, kurorëzimin e dashurisë sonë. Të gjithë ato muaj intensiv, të ngarkuar me përgjegjësi, emocion, ide, krijim, takime dhe raporte njerëzore nga më të vecantët, do të mbeten një rrugëtim i paharruar! Dhe dita më e vecantë për ne erdhi me diell, me miq të shumtë, me shije tradite dhe kulture shqiptare, erdhi ashtu sic e kishim ëndërruar…Më pas, si një surprizë e bukur, erdhi xhirimi i filmit “Yjet e së ardhmes”. Mezi pres ta shoh në kinematë e qytetit.

Dhe një tjetër dhuratë e dashur ishte “Kënga Magjike”! Tre net të mbushura me emocion, nostalgji për skenën e madhe dhe muzikën…

Ky vit që po lëmë pas do të mbetet Viti i Paharruar! Dua të falenderoj të gjithë ata që më dhanë dorën dhe u bënë bashkudhëtarë, të gjithë ata që më dhanë besim dhe më bënë pjesë të rrugëtimit të tyre! Një përqafim i ngrohtë për familjen time, që është dhurata më e cmuar, më e dashur, më e vërteta në jetë! Për të gjitha këto, i përulem në falenderim Zotit! Ai është dashuria që mbajmë në zemër!

No Comments on "Elia Zaharia Zogu: Ky vit do të më mbetet i paharruar për mua."

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *