Selektime në dëmshpërblimet e përmbytjeve.

Emisioni “STOP” solli ankesat e banorëve të Bregut të Lumit dhe të një lagjeje në zonën e Fushë – Krujës. Banorët e Bregut të Lumit ngrenë zërin për përmbytjet e vitit 2013. Edhe pse i kanë vënë emrin në listën e dëmshpërblimeve, ata nuk e gjejnë në postë, ku duhet të marrin paratë, ose shuma është qesharake. Ata bëjnë thirrje që të marrin këtë dëmshpërblim nga shteti, ashtu sikurse kanë marrë disa të tjerë, pasi shtëpitë e tyre kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga këto përmbytje. Çdo ditë shkojnë në Njësinë Administrative për të marrë një përgjigje, të cilën ende nuk e kanë marrë.

Menjëherë pas këtyre ankesave të banorëve të Bregut të Lumit, gazetarja e “STOP” drejtohet drejt Njësisë Administrative numër 11 për të pyetur se përse disa prej banorëve kanë marrë dëmshpërblim dhe disa të tjerë jo. Gresa Gjeloshaj, Shefe e Shërbimeve Mbështëse pranë kësaj njësie shprehet se:

“Është një problem që e kemi hasur shumë ditët e fundit, ku u bë të paktën një javë që përpara Njësisë Administrative ka shumë banorë që vijnë me këto ankesa. Ne kemi pasur një listë nga vendimi i Këshillit Bashkiak numër 101 në datë 18.09.2014 dhe numër 6, datë 19.02.2015 ku ne kemi çuar procesverbalet e vlerësimit të bëra nga komisioni i ngritur dhe e theksoj nga Këshilli i Qarkut Tiranë dhe komisioni i ngritur nga Njësia Bashkiake numër 11 në atë kohë. Ato janë dorëzuar në Prefekturën e Tiranës. Dua ta theksoj këtë pjesë pasi Njësia Administrative gjithmonë është palë për t’i qëndruar pranë banorëve. Jemi duke pritur një përgjigje, për të na dhënë një adresim të saktë se çfarë duhet të bëjmë.

Çfarë shkrese prisni?

Presim një përgjigje konkrete se çfarë duhet t’i themi ne banorëve që janë jashtë njësisë për momentin.

Fondi a ka ardhur, a është akorduar?

Për këtë pjesë jemi duke pritur.”

Të njëjtin problem kanë edhe banorët e Fushë-Krujës. Ata tregojnë, se janë përmbytur disa herë, por nuk kanë marrë dëmshpërblimin, që u takon. Sipas tyre listat me emrat që do të marrin para kanë dalë, por ato janë selektive. Problemin me listat e pranon edhe kreu i Njësisë Administrative Xhemali Xhixha.

“Kemi disa ankesa nga kjo lagje, ne kemi ngritur një komision për të verifikuar çdo ankesë të këtyre banorëve. Mendoj që pretendimet e tyre nuk janë reale, flas këtu të disave jo të gjithëve. Mund të jetë shtëpi me disa kate, por në katin e parë banohet dhe nëqoftëse është përmbytur ky kat, sigurisht që do të marri dëmshpërblimin.

Si ka mundësi që 10 metra largësi nga banesa në banesë dhe lumi paska prekur një pjesë të banesave?

Sepse lartësia e shtëpisë është e ndryshme, pram und të jesh ngjitur me shtëpi, por lartësia e shtëpisë së parë është më e madhe sesa lartësia e shtëpisë së dytë. Kemi bllokuar tre emra, që dyshojmë që janë jo të sakët. Do t’i verifikojmë dhe nëse nuk është e vërtetë do t’i hiqet bllokimi nga banka.

Domethënë janë vënë re raste që kanë marrë dëmshpërblim edhe persona që nuk iu takon?

Jo, në fakt janë persona që kanë ngjashmëri emri, të babait dhe mbiemri.” / tvklan.al