Partia Demokratike bën thirrje për protestë të fuqishme në datë 18 shkurt.

Politike

Partia Demokratike u ka bërë thirrje dhe një herë qytetarëve që nuk përballojnë dot rritjen e çmimit të energjisë elektrike apo që përballen çdo ditë me mbifaturimet e OSHEE, që të protestojnë më 18 shkurt, kundër vjedhjes dhe mashtrimit nga qeveria.

“Edi Rama nuk u mjaftua vetëm me rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët, por edhe i mbifaturon ata. Me mijëra ankesa kanë ardhur nga e gjithë shqipëria për abuzimet me faturat e energjisë elektrike. Qytetarëve u është dashur të paguajnë 50% më shumë se kostoja reale e energjisë së konsumuar,” tha në një dalje për mediat Grida Duma.

Sipas Dumës, qytetarët duhet të protestojë në emër të atyre kryefamiljarëve  të papunë që nuk kanë me se ta paguajnë energjinë elektrike, apo atyre që u vetëflijuan në pamundësi për të paguar dritat.

“Jo vetëm rriti çmimin e energjisë, por Edi Rama la për muaj të tërë në errësirë familjet pa asnjë të ardhur, sepse nuk paguanin dot energjinë dhe shtyu drejt vetëvrasjes shumë kryefamiljarë. Më 18 shkurt ne duhet të protestojmë për mashtrimin, abuzimin dhe vjedhjen që Edi Rama po u bën shqiptarëve. Më 18 shkurt duhet të protestojmë në emër të Klajdi Muçës, Arif Dodës, Barbulla Pepës, Resmie Allës, Qamil Zelës, Llazar Nasit, Altin Myftarit, Gjovalin Gjinit, që u vetëflijuan dhe vdiqën nga të ftohtët, sepse nuk paguanin dot dritat. Më 18 shkurt të protestojmë për qindra kryefamiljarë të papunë që nuk kanë para për të siguruar energjinë elektrike për fëmijët e tyre. Më 18 shkurt të ndalim padrejtësinë dhe me votë të lirë t’i hapim rrugën një qeverie për qytetarët,” u shpreh Duma.