Dy sharlatane si Rama dhe Thaçi. Nga: Berat Buzhala.

Hashim Thaçit dhe Edi Ramës nuk ka më kuptim që t’iu referohemi me pozitat e tyre politike, ose shtetërore. Nuk mund të flasim më për Kryeministër dhe President. Këta tituj janë edhe shumë të ngushtë, por edhe shumë joelastik, për ta. Më e pakta, shefa shtetesh. Më e shumta: diçka në mes të posedues ose pronarë shtetesh.

Mbrëmë, të dytë, na nderuan me një intervistë, të gjatë, të përbashkët, vëllazërore, të pashembulltë, përballë, ose pranë, gazetarit Baton Haxhiu, që shoqërohej edhe me disa studentë, që po përpiqeshin me sa fuqi kishin t’i rezistonin këtij triumvirati – në disa raste me sukses.

Kohë pas kohë, studentët mbrëmë, më dukeshin sikur disa gladiatorë të braktisur në një arenë plot me kafshë të egra. Në rastin tonë, së paku dy.

Për formatin e intervistës pothuajse nuk ia vlen të harxhojmë shkronja. Duke marrë parasysh që Thaçi dhe Rama i kontrollojnë financat në të dyja vendet, i kontrollojnë paret e tokës dhe nëntokës, atëherë ne jemi në mëshirën e tyre, se qysh ata do të vendosin të na drejtohen neve. Ata vendosin për formatin, për kohën, për spektaklin, për debaklin, për mediumin dhe për çdo gjë tjetër.

Kështu kishin vendosur edhe mbrëmë.

Njëri President i një shteti – shtet i thënçin – tjetri Kryeministër i një Kolumbie të vogël, dolën para shqiptarëve që t’u flisnin për luftën dhe për paqen. Sepse, le të kuptohemi njëherë e mirë, primare është audienca. Dhe ku ka temë më të mirë se sa lufta, për të tërhequr vëmendjen. Posaçërisht në një vend ku ende nuk janë gjetur të gjithë të zhdukurit e luftës së fundit.

Kështu, njëri na hidhte ujë të ftohtë, tjetri ujë të nxehtë. Njëri thoshte që nuk do të këtë luftë, e tjetri thoshte se edhe nëse do të këtë luftë ne do të bëhemi bashkë, kësaj radhe, për të luftuar kundër Serbisë.

Pra, nuk kemi nevojë që të frikësohemi nga lufta, thoshin të dytë. Mirëpo as nuk duhet të relaksohemi krejtësisht. Luftë mund të ketë, nëse ata duan, pra Thaçi e Rama. Por janë ata – që i paçim gjithmonë – që në vend të luftës po na japin paqen. Me fjalë të tjera – gjendje është pak kafkeske – ne po jetojmë, sipas tyre, në një kohë të një praglufte. Kjo mund të jetë edhe luftë, por mund edhe të mos jetë. Sepse Thaçi e Rama, ose Rama e Thaçi, përveç që mund të vendosin për luftën dhe paqen, ata edhe e definojnë se çfarë quajmë luftë, e çfarë quajmë paqe. Ne nuk duhet t’u besojmë syve tonë, por fjalëve të tyre.

Çfarë komedie.

Dy sharlatanë, i joni posaçërisht, të etur për audiencë, po kënaqeshin me mundësitë që i kishin në dispozicion, për të dhënë spektakël në mënyrë të papenguar. Argëtoheshin Thaçi e Rama, sikur kur argëtoheshin fëmijët e pasur që vendosnin kurdo që u tekej të na merrnin topin, ose të na linin të luanim edhe ndonjë minutë më tepër.

Meqë kohë kishin në dispozicion, meqë e pasonin topin te njëri tjetri pa frikën që dikush do të ndërhyjë, shefat e shteteve e sprovonin vetën edhe në batuta. T’i dëgjosh batutat e tyre vihesh në siklet të tillë, që mund të krahasohet vetëm më momentin kur e ke parë njërin prej prindërve duke dal komplet i zhveshur nga banjoja. Ankth. Nuk dëshiron të jesh aty.

Por kjo gjë nuk i pengonte ata. Përkundrazi, Thaçi dhe Rama ishin shtrirë në karrige, sikur kur shtrihen macet, në netë të acarta të dimrit, pranë koftorit.

Të trazuar nga asgjë. Më së paku nga ndërgjegjja e tyre. Dukeshin si dy të sëmurë mendorë, që e kishin shtypur edhe rezistencën e fundit, duke mos zgjedhur mjete. Por as kjo nuk u mjaftonte. Dëshironin që këtë ta festonin publikisht.

E ne, fatkeqësisht, e dimë këtë. Pothuajse jemi dorëzuar. Pulsi po na rrah pak, ose fare. Pra ne jemi gjallë vetëm teknikisht, ose klinikisht. Po hibernojmë. Por kjo për ta nuk ka rëndësi. Ka mundësi madje dorëzimi ynë i frikëson, ndoshta, më shumë se sa një rezistencë simbolike. Frikësohen që prapa dorëzimit fshihet ndonjë djallëzi.

Nëse e keni përcjell më vëmendje – çfarë ta quajmë atë që ndodhi mbrëmë! – keni mundur ta dëgjonit kur kohë pas kohe, Thaçi dhe Rama, me ngërdheshje, në formë pezhorative, përmendnin portalet, duke aluduar në atë betejën epike të Ramës kundër portalistëve, në të njëjtin televizion, muaj më parë.

Dëshironin ta konfirmonin, për të satën herë, atë fitore, si një datë historike ku kishte ngadhënjyer e mira, në këtë rast Rama, ndaj të keqes, në këtë rast gazetarëve. E në të njëjtën kohë, përmes nënvizimit të këtij fakti, donin të vërtetonin nëse kishte ngelur bir nënë në këto troje që nuk e kishte parë atë fitore.

Ky ishte pak a shumë thelbi i ngjarjes: Mbrëmë, dy sadistë politikë, ndoshta jo vetëm politik, në ekstazë të plotë, iu tregonin muskujt, viktimave të tyre, tashmë të shtrira për tokë. Kjo performancë, në kushte normale, do të quhej e panevojshme. Ne jemi të vetëdijshëm që ata po na sundojnë brutalisht. Nuk kemi nevojë për dëshmi të tjera. Por ata nuk janë të vetëdijshëm. Prandaj kanë nevojë të na e rikujtojnë. Sigurisht që edhe kjo do të përfundojë një ditë.

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments