Ç’përfaqëson partia e re për të përndjekurit politik.

Politike

TOMORR ALIZOTI

Një nga tiparet bazë të së majtës, që në krye të herës, ka qenë përdorimi i çdo mjeti për politikë dhe konsiderimi i gjithçkaje si politike. Për komunistët, socialistët, anarkistët dhe çdo lloj tjetër i majti, të paktën që nga koha e internacionales së parë komuniste, nuk kishte asnjë kufizim etik, asnjë normë njerëzore që të shërbente si pengesë në luftën për të sjellë rendin e ri, rrëzuar “regjimin e vjetër”, ndërtuar botën e re të socializmit etj. Kjo mënyrë të menduari prodhoi revolucionet komuniste, gjenocidin komunist, kampet e përqendrimit dhe malet me eshtra që ende ulërasin për të sjellë të vërtetën.

Shqipëria e ka parë këtë gjë për 45 vite komunizëm, siç ka parë dhe sheh ende këto vite shenja të kësaj sjelljeje politike. Konsiderimi i gjithçkaje si politike dhe përdorimi i çdo mjeti, që nga poshtërimi, dhuna, plagosja apo vrasja, sharjet, blerjet, vjedhjet etj., etj. kanë shoqëruar këto vite zhvillimet politike në Shqipëri dhe qëllimi ka qenë marrja apo mbajtja e pushtetit, duke e menduar veten si shpëtimtarin e madh apo zgjidhjen e vetme të vendit.

Më e thekshme kjo sjellje është shfaqur në vitet e qeverisjes së Kryeministrit Rama, i cili në emër të Rilindjes, këtij projekti me ngjyra megalomane ose kësaj artifice delirante, ndërtoi një koalicion me partinë, ndaj së cilës zhvilloi një luftë ad hominem dhe më pas nisi të nënshtrojë apo manipulojë kategori të ndryshme shoqërore me anë të një propagande të shfrenuar, ku ai vetë bashkë me ministrat për orë të tëra të ditës zapton ekranet dhe u flet njerëzve për largim nga varfëria, vendosje të rendit, luftë ndaj drogës, luftë ndaj korrupsionit, hapje të vendeve të punës etj.

Pak ditë më parë, kjo e majtë që përdor çdo mjet në politikë dhe konsideron gjithçka si politike, njoftoi se do të krijohet një parti e re politike, e cila do të ketë në fokus të saj ish-të përndjekurit e regjimit komunist, “mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të tyre apo çuarjen përpara të aspiratave të tyre.” Për ta drejtuar këtë parti, e majta në pushtet njoftoi se ka zgjedhur një nëpunës të sajin, i cili drejton një ent qeveritar që synon integrimin e ish-të përndjekurve politikë.

Çështja nuk është se cili e drejton këtë parti asfare. Çështja është se çfarë përfaqëson ideja e krijimit nga e majta jonë e një partie për ish-të përndjekurit. Para se të shohim se ç’përfaqëson krijimi i kësaj partie të re, po themi që të përndjekurit politikë në Shqipëri janë sot një nga shtresat më me shumë probleme, një pjesë e tyre jetojnë në varfëri, pa një strehë, me vështirësi të për të shkolluar fëmijët dhe në një masë dërrmuese të papunë. Shkalla e papunësisë së tyre është dy herë më e lartë sesa shkalla e papunësisë në vend.

Ata ishin antikomunistë për shkak të identitetit të tyre social, por edhe politik, që në momentin kur u vendos pluralizmi dhe që u bënë mbështetësit më të fortë të Partisë Demokratike që në momentet e para. Partia Demokratike ishte shtëpia e tyre politike dhe është akoma edhe sot shtëpia e tyre politike. Gjatë viteve 1992-1996 dhe gjatë viteve 2005- 2013, Partia Demokratike ka qenë pranë tyre me programe sociale, i përfshiu në funksione të larta drejtuese, u dha bursa për shkollim, pati përpjekje të mëdha për dëmshpërblim, integrim etj.

Kjo është e njohur dhe të gjithë ata vetë e dinë dallimin mes Partisë Demokratike dhe asaj socialiste në këtë drejtim. Partia Demokratike ka pasur nënkryetarë, ministra, kryetarë Parlamenti, zëvendëskryeministra, gjyqtarë dhe kryegjyqtarë, kolonelë në Polici apo gjeneralë në Ushtri nga shtresa e të përndjekurve. Partia Socialiste, zyrtarin më të lartë nga shtresa e të përndjekurve ka pasur apo ka ndonjë nëpunës të vogël apo ndonjë kandidat humbës për bashki, ndërkohë që ka ende edhe sot sekretar të përgjithshëm ministrin e Brendshëm të diktaturës, ka ambasadorë bij anëtarësh të Byrosë Politike, drejtorë të lartë policie dhe kolonelë ushtrie ish-drejtues të Sigurimit apo degëve të brendshme, drejtues të lartë politikë bij anëtarësh të plenumeve apo edhe Presidiumit të Kuvendit të turpshëm popullor të regjimit komunist.

Ajo emëroi në krye të gjykatave të larta dhe kushtetuese njerëz që kishin dënuar me vdekje për arsye politike edhe në vitet e fundit të komunizmit. Partia Demokratike nuk ka qenë dhe as është e imunizuar nga gabimet apo dobësitë dhe, sigurisht që nuk ka bërë gjithçka duhej për këtë shtresë, ka pasur gabime në politika ose edhe korruptim në zbatimin e disa politikave. Për këtë janë të vetëdijshëm të gjithë të përndjekurit, siç janë të vetëdijshëm se kurrë ndonjëherë nuk ka pasur portrete të Enver Hoxhës në ceremonitë e Kryeministrit Berisha apo të zyrtarëve të tjerë, kurrë ndonjëherë nuk ka pasur dekorime për njerëz si Vito Kapo, apo Lenka Cuko, siç kanë ndodhur qëllimisht në këto vite. Asnjë gabim i PD-së nuk e zhbën atë si shtëpinë e vetme të ish-të përndjekurve.

Në njëfarë kuptimi, ndërgjegjja, por edhe njerëzit që vijnë nga kjo shtresë, kanë qenë dhe janë në anëtarë- si, në forume dhe në drejtimin e PD-së. Duke qenë se Partia Socialiste nuk shkon tek ajo, atëherë krijohet kjo parti e re që, së paku, të kemi një “sulm nga brenda” për të marrë qoftë edhe një votë. Po rikthehemi tani tek ajo që përfaqëson në të vërtetë krijimi i kësaj partie. Autorë të shumtë, studiues të politikës, përdorin për të shpjeguar raste të tilla termin “sadizëm politik”.

Siç dihet, sadizmi, pa hyrë në shpjegime të hollësishme, është marrja e kënaqësive nga dhunimi i tjetrit. Studiuesit e përdorin këtë term gjerësisht për të shpjeguar sjellje politike që përdorin dhimbjen apo vuajtjet e njerëzve, apo të kategorive të caktuara për të përfituar politikisht. Ata thonë se kjo sjellje karakterizohet nga arroganca dhe nga mungesa e thellë e respektit për subjektin që vuan. Ai që vuan konsiderohet si një qenie mjerane. Ai përdor si ilustrim të kësaj sjelljeje një monolog nga një film mbi torturat i Pasolinit.

Ushtari fashist u thotë të burgosurve që i torturon: “Ju, krijesa të shëmtuara, të destinuara për kënaqësinë tonë. Mos prisni të gjeni liri, ju jeni përtej të drejtave legale. Ne nuk duam t’ia dimë për ju….” Ky është sadizmi politik dhe vetëm nëpërmjet tij ne mund të kuptojmë çfarë përfaqëson ideja e Partisë Socialiste për të krijuar një parti të të përndjekurve, në mënyrë që ata të shkojnë dhe të votojnë një krijesë të sajën.

Paraardhësja e Partisë Socialiste, Partia e Punës, njerëz të rëndësishëm të saj, që janë ende në Partinë Socialiste, xhelatë, hetues, prokurorë apo gjyqtarë, që dje i mbyllnin birucave, i internonin, pushkatonin baballarët etj. etj., sot u drejtohen ish-të përndjekurve me fjalët e filmit të Pasolinit dhe kërkojnë t’i përdorin për përfitime politike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *