“Servisi” i anijeve, Qeveria shpall tenderin për dhënien me koncesion

Ekonomi

Qeveria do të japë me koncesion shërbimin e anijeve detare në të gjitha portet e vendit. Ministria e Transporteve shpalli zyrtarisht tenderin në agjencinë e prokurimeve publike.

Sipas dokumenteve zyrtare, kontrata do të ketë një vlerë prej 191.8 milionë lekë ose afro 1.5 milionë euro. Përmes saj qeveria do i transferojë privatit për një periudhë 5-vjeçare monopolin e shërbimit të anijeve detare në portin e Durrësit, Shëngjinit, Vlorës, Sarandës, Romano Port dhe atë të Petroliferës në Vlorë, si dhe të gjitha portet e hapura në Shqipëri. Pas përfundimit të këtij afati investimi i transferohet sërish shtetit.

Ministria e Transporteve njoftoi se tenderi do të zhvillohet në datën 24 shkurt dhe do të jetë i hapur për të gjitha kompanitë e interesuara.

Fituesi do të vlerësohet në bazë të 7 kritereve të paracaktuara, ku përfshihen tarifat që kompania private do kërkojë për shërbimin e anijeve, cilësia e pajisjeve si dhe të ardhurat që ajo do të derdhë në shtet.

Të dhënat zyrtare tregojnë se transporti detar mbetet një nga rrugët kryesore të tregtisë. Aktualisht përmes porteve të vendit transportohen 3 milionë tonë mallra dhe udhëtojnë rreth 1.5 milionë pasagjerë në vit.

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments